Foto ilustruese

FIER – Një administrator i një shoqërie ndërtimi është vënë nën hetim për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Po kështu Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit e ka gjobitur me masën administrative 1.000.000 lekë.

Personi i vënë nën hetim është K. K., 48 vjeç, banues në Mallakastër. Procedimi ndaj tij filloi pasi ky shtetas, me detyrë administrator në një shoqëri ndërtimi, ka shfrytëzuar në mënyrë jo të ligjshme, me mjetet e shoqërisë së tij, shtratin e lumit Vjosë, duke nxjerrë sasi të mëdha inertesh në shtratin e këtij lumi.

Gjithashtu, IKMT e ka ndëshkuar këtë subjekt me masë administrative 1.000.000 lekë, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ndërkohë në emisionin Fiks Fare dy ditë më parë denoncoi masakrën mjedisore në Lumin Vjosë, ku firma që po shfrytëzon barbarisht këtë lumë, nuk kishte leje. Qindra kamionë të tonazhit të rëndë marrin përditë zhavorr në fshatin Hambar në Fier, duke e kthyer zonën në një kantier të madh.

Ekskavatorët lëvizin në një distancë prej disa kilometrash, duke marrë zhavorr dhe lënë pas gropa të mëdha, të cilat janë mbushur me ujë. Gërryerja e lumit po bëhet disa metra larg vendit ku Vjosa del përvit nga shtrati, duke përmbytur mijëra hektarë dhe banesa në fshatrat e Fierit dhe Vlorës.

Po kështu edhe emisioni ‘Top Story’ i ka kushtuar vëmendje masakrës mjedisore në Lumin Vjosë. Shenjat e digës duken qartë në dy faqet e malit. Megjithatë, bukuria e natyrës, nuk mund të fshihet nga kjo masakër mjedisore. Kjo perlë e jugut shqiptar, vizitohet pothuajse në çdo muaj të vitit nga turistë të huaj. Dhe janë ata që sot po e mbrojnë. Megjithatë shkelësit vijojnë të përfitojnë.

Njoftimi:

Procedohet nga Policia administratori i një shoqërie ndërtimi, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjithashtu gjobitet nga IKMT-ja, me masën administrative 1.000.000 lekë.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin K. K., 48 vjeç, banues në Mallakastër. Procedimi ndaj tij filloi pasi ky shtetas, me detyrë administrator në një shoqëri ndërtimi, ka shfrytëzuar në mënyrë jo të ligjshme, me mjetet e shoqërisë së tij, shtratin e lumit Vjosë, duke nxjerrë sasi të mëdha inertesh në shtratin e këtij lumi. Gjithashtu, IKMT e ka ndëshkuar këtë subjekt me masë administrative 1.000.000 lekë, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 ose në Komisariatin Dixhital.

Top Channel