Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës masakrën mjedisore në Lumin Vjosë, ku firma që po shfrytëzon barbarisht këtë lumë, nuk kishte leje.

Qindra kamionë të tonazhit të rëndë marrin përditë zhavorr në fshatin Hambar në Fier, duke e kthyer zonën në një kantier të madh. Ekskavatorët lëvizin në një distancë prej disa kilometrash, duke marrë zhavorr dhe lënë pas gropa të mëdha, të cilat janë mbushur me ujë. Gërryerja e lumit po bëhet disa metra larg vendit ku Vjosa del përvit nga shtrati, duke përmbytur mijëra hektarë dhe banesa në fshatrat e Fierit dhe Vlorës. Gazetarët e emisionit investigativ faktuan se firma Shkëlqimi 07, e cila po gërryen këtë Lumë, nuk kishte leje shfrytëzimi. Drejtuesit dhe inxhinierët e firmës nuk dispononin asnjë kopje të kësaj leje, aq më tepër vendin apo koordinatat se ku duhet të merrnin zhavorr. Mjetet e kësaj firme lëviznin ku të mundnin, pa asnjë piketim. Dhe, pasi e shfrytëzonin, nuk e rehabilitonin, duke rrezikuar jetët dhe pronat e banorëve të fshatrave afër lumit të egër.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa video dhe foto nga banorë të fshatit Hambar në Fier. Para pak javësh, këta banorë protestuan kundër shfrytëzimit të lumit, madje ndaluan edhe kamionët e firmës. Pas këtyre ankesave, një grup i emisionit Fiks Fare shkoi në atë fshat për të parë si shfrytëzohet ky lumi konsideruar i egër. Në një distancë prej disa kilometrash, ekskavatorët kishin gërryer të gjithë zonën, madje edhe në mes të lumit, duke ndryshuar disa herë rrjedhën e tij natyrale. Në gjithë distancën, ishin hapur gropa të mëdha, të cilat ende nuk janë mbyllur. Dhe, e gjitha kjo situatë, ishte vetëm 16 muaj pas përmbytjeve masive që shkaktoi Vjosa në fshatrat e Fierit dhe Vlorës, duke rrezikuar mijëra familje.

Sipas banorëve, dalja e Vjosës nga shtrati bëhet pikërisht në fshatin Hambar dhe Kashishtë. Ky i fundit është vetëm 2 kilometra larg pikës që po gërryhet, në breg të këtij lumi! Dhe, sa herë që ka përmbytje, banorët e atij fshati largohen nga banesat, ndërsa kanë dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori.

Në momentin që grupi i Fiks Fare shkoi në lumë, një ekskavator mbushi disa kamionë me zhavorr. Dhe, disa minuta më pas, ekskavatori u largua. Por, ai la pas shumë gropa, madje edhe në mes të rrjedhës së lumit Vjosë. Banorët pohojnë se, edhe nëse do të kishte leje mjedisore, një gërryerje e tillë nuk duhet të ndodhte, pasi firma duhet të piketonte zonën, apo të kishte koordinata. Gazetarët e Fiks Fare konstatuan në terren se firma nuk kishte bërë asnjëherë rehabilitimin e zonës, duke e lënë vendin në gropa të mëdha.

Fiksi shkoi edhe në kantierin e firmës Shkëlqimi 07, ku kamionët e shumtë shkarkonin zhavorrin buzë rrugës Levan-Tepelenë. Gazetarët pyetën drejtuesit e kantierit nëse kishin apo jo një leje shfrytëzimi dhe nëse po, në cilat koordinata apo piketime. Drejtuesit thanë se kanë një dokument, por nuk e dinin se çfarë ishte.

“Kemi një kontratë me Alb Building-un që po ndërton By Pass-in e Fierit. Lejen e shfrytëzimit e ka ai, se ne kontratën kemi që kemi bërë me të.Kemi bërë kontratë që i japim materialet dhe ai duhet të ketë bërë marrëveshje që marrim te leja e tij” thonë ata, ndërsa gazetarët shfletojnë edhe kontratën. Dhe, për çudi, në kontratë nuk ka asnjë të dhënë për lejen e shfrytëzimit të lumit. “Duhet të jetë te qendra e firmës.Vetëm të Alb Building-u. Ata thonë boll, boll. Duam kaq, marrin 1300 kub në ditë ata” thonë ata. Punëtorët na treguan vetëm një dokument, e cila ishte vetëm një kontratë midis firmës Shkëlqimi 07 dhe firmës tjetër e cila po ndërton By Pass-in e Fierit. Ndërkohë, gazetarët i kërkuam nëse kjo firmë, Shkëlqimi 07 ka apo jo leje shfrytëzimi për lumin Vjosa. Sipas tyre, këtë leje ata nuk e disponojnë, madje nuk disponojnë as piketimet, apo as koordinatat në të cilat kamionët dhe ekskavatorët e kësaj firme duhet, të marrin inerte.

Fiksi pyeti edhe firmën që po ndërton By Pass-in e Fierit, nëse kanë apo jo leje shfrytëzimi për lumin Vjosë. Përgjegjësit e kantierit në afërsi të kryqëzimit të Levanit thanë se “prej disa ditësh, kanë shkëputur çdo marrëveshje me kompaniën Shkëlqimi 07”.

Top Channel