Foto më e famshme e Ismail Qemalit, portreti zyrtar që përfaqëson shtetin shqiptar sot në çdo zyrë, është realizuar më shumë se 107 vjet më parë; më e hershmja 153 vjet më parë.

Për këtë figurë kaq komplekse s’gjejmë pothuajse asnjë negativ, asnjë pllakë xhami.

Një ekspozitë në COD është një përzgjedhje prej katër fotosh që tregojnë jo vetëm portretin, bustin, statusin e shijen e tij por dhe jetën e tij në vite të ndryshme.

Le të shohim Ismail Qemalin këtu, në të 40- at e veta. Një figurë që transmeton një energji të madhe sidomos nëpërmjet shikimit. Pse jo edhe pak arrivist, por shumë ambicioz.

“Ne nuk e njohim figurën reale të Ismail Qemalit, dhe këto katër fotografi këtë tentojnë. Të tregojnë një personazh të rëndësishëm të kombit tonë, i cili vjen në fotografi ashtu si ishte në çastin që u shkrep. Rrjedhimisht arrijmë të shohim disa elementë të kësaj figure që vështirë që i sheh në stampinet me të cikat jemi mësuar.”

Skanimi dhe përpunimi i imtësishëm i fotove është bërë nga Edvin Celo, edhe për një arsye personale.

“Ismail Bej Qemali gjatë rrugëtimit të tij për në Vlorë ka qëndruar një natë në shtëpinë e stërgjyshit tim Ferit bej Leskoviku.”

“Një nga detajet interesante është që për herë të pare fotografia që ne kemi në të gjitha zyrat shtetërore del me detaje që nuk kanë dalë asnjëherë. Një nga detajet është që në njërin nga sytë Ismail Qemali duket pak i veshur me lot.”

Kjo ekspozitë sjell një kërkim mbi njerëzoren dhe shpirtëroren e gjeniut politik Ismail Qemali. Dhe vjen në ditëlindjen e 5 të Qendrës për Hapje dhe Dialog.

“COD më 8 korrik të 2015 ka hapur për herë të parë dyert për publikun. Donim që sot pikërisht në këtë ditë të propozonim një ekspozitë ndryshe.”

Top Channel