Jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, tre deputetë të opozitës parlamentare, saktësisht kreu i Ballit Kombëtar Artur Roshi, Besnik Troplini dhe Fatjona Dhimitri deklaruan se do të votojnë pro draftit të marrëveshjes zgjedhore që do të futet për t’u miratuar në seancën plenare në datë 23 korrik.
Me 77 deputetët që ka shumica socialiste në Kuvend dhe 3 të deklaruarit ditën e sotme, numri i votave pro reformës zgjedhore shkon në 80 duke qenë vetëm 4 vota larg miratimit.
“Nëse vazhdojmë me lojën e kartonëve, kjo nuk na çon askund. Balli Kombëtar Demokrat ka qenë gjithmonë në mbështetje të proceseve demokratike. Përfundimisht, ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, jo se morëm atë që deshëm, por i duhet vendit. Para integrimit në Evropë nuk mund të zgjedhim interesat tona. Hapja e negociatave është një gradë lirie për shqiptarët.
Ne nuk mund të pranojmë ndërrimin e Kushtetutës me një prag 3 apo 5%. Nuk mund të pranojmë heqjen e koalicioneve. Sa i përket hapjes së listave, është e artikuluar prej meje prej 5-6 vitesh për lista të hapura. I qëndrojmë kësaj, por në pamundësi zgjedhim këtë rrugë”, tha Roshi.
Po kështu, edhe deputeti tjetër i Ballit, Besnik Troplini u shpreh pro.
“Balli Kombëtar është një parti e ndërtuar në perëndim dhe sytë tanë kanë qenë përtej detit, në BE”.
Në përmbyllje, deputetja Fatjona Dhimitri tha se marrëveshja e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët nuk mund të mbahet peng në Kuvend.
Top Channel