Gjyqi i shpifjes/ Johnny Depp mohon se ka goditur gruan Amber Heard: Ajo ishte e dhunshme me mua

07/07/2020 16:35

Aktori i Hollywood-it, Johnny Depp ka mohuar sot se ka goditur ndonjëherë ish-gruan e tij Amber Heard dhe insistonte se ishte ajo që përdorte dhunë ndaj tij, në ditën e parë të gjyqit eksploziv mes tyre për shpifje.

Aktori 57-vjeçar i filmit “Piratët e Karaibeve” akuzon 38-vjeçaren Heard, se e ka goditur me grusht dhe i ka thyer gishtin kur e qëlloi me një shishe vodka.

Ylli i Hollywood-it gjithashtu hodhi poshtë si “të pavërteta” e “të sëmura” akuzat se e ka torturuar dhe abuzuar gruan, me të cilën është ndarë.

Depp tha më tej se nuk beson se ka një karakter ‘imponues, manipulativ apo kontrollues’.

Në një nga deklaratat e tij si pjesë e padisë për shpifje ndaj gazetës britanike “The Sun” aktori thotë se incidentet e dhunshme në avion me Amber ishin diçka e zakonshme.

Depp tha se në një fluturim me avion privat në 2014 apo në fillim të 2015, Heard u bë “verbalisht agresive” me të. Ajo e quante “burrë grua” e “pa karakter” për arsye se “u shmangej sherreve me të”.

Depp tha:

“Ajo më pas u bë e dhunshme fizikisht dhe më qëlloi vazhdimisht me grushte. Unë shkova drejt fundit të avionit por ajo më ndoqi dhe më grushtoi përsëri në fytyrë dhe në kokë”.

“Unë e shtyva për t’u mbrojtur. Mora një jastëk dhe e mbylla veten në banjo, ku qëndrova për të gjitha pjesën tjetër të fluturimit”.

“Amber më ka thyer gishtin kur më lëshoi një shishe votka pasditen e 8 marsit. Amber thotë se kjo ishte dita e dytë e një situate 3-ditore pengmarrjeje”, tha mes të tjerash Depp.

Depp është duke paditur gazetën ‘The Sun’ e cila e ka quajtur në një artikull në 2018 “rrahës i grave”.

Ish-partnere të tjera të Depp kanë folur në mbrojtje të tij si Vanessa Paradis dhe Winona Ryder, duke thënë se nuk kanë hasur kurrë në dhunë shtëpiake prej tij.

Gjyqi vazhdon.

Top Channel