Milan pushton olimpicon në Romë dhe i jep një leksion të mirë Lazios teksa e mposhti me rezultatin 3-0 duke i bërë në të njëjtën kohë edhe një dhuratë të çmuar Juventusit në garën për titullin kampion të Serie A me bardhezinjtë që tani e shohin veten të shkëputur 7 pikë ndaj bardhekaltërve.
Skuadra e Simone Inzaghit kishte 2 mungesa të rëndësishme në përballjen me kuqezinjtë si ai goleadorit Immobile dhe Caicedos nga e cila përfituan mjaft mirë.
Milani ishte dominues në këtë ndeshje dhe në minutën e 23 arriti të zhbllokojë rezultatin me Calhanoglu që shënoi një supergol nga jashtë zone. Pas 8 minutash Milani gjeti edhe golin e dytë me Ibrahimovic por që u anulua për pozicion jashtë lojë, por nuk vonoi shumë dhe kuqezinjtë fituan një 11 metërsh me suedezin që pati fatin me vete teksa shënoi nga pika e bardhë pasi Strakosha nuk mundi të ndalë gjuajtjen e tij.
Në pjesën e dytë Milani arriti të gjejë edhe golin e tretë me Rebic pas një kundërsulmi duke fiksuar rezultatin 3-0 për të marrë 3 pikët që i japin mundësinë që për momentin të jetë në zonën evropiane i pozicionuar mes Romës dhe Napolit që do të luajnë sot në mbrëmje në orën 21:45.
Top Channel