Kategoria Superiore sot dhe ditën e hënë do të luajë ndeshjet e javës së 32 të saj.
Pasditen e sotme do të luhen 2 ndeshjet e para dhe një prej tyre është ajo mes Laçit dhe Flamurtarit. skuadra vlonjate është pa objektiva duke qenë se ka rënë prej javësh nga kategoria, ndërsa për Laçin që kërkon të jetë në kompeticionet evropiane fitorja bëhet një detyrim duke qenë se humbja ndaj Partizanit ia ka ndërlikuar disi gjërat. Ndërsa në Gjirokastër do të luhet sfida mes Luftëtarit dhe Vllaznisë.
Në këtë rast kemi një përballje mes një skuadre që tashmë e ka prere biletën për në Kategorinë e Parë si Luftëtari që për më tepër në ndeshjet e fundit ka pësuar shumë gola, plot 26 të tillë dhe Vllaznisë që kërkon të evitojë fazën e playoffit për të qëndruar në Kategorinë Superiore dhe në këtë pikë për skuadrën shkodrane objektivi është marrja e tre pikëve.
Ditën e hënë Tirana do të presë Kukësin në Selman Stermasi. Bardheblutë vijnë në këtë ndeshje pas një mesjave plot polemika për shkak të figurës së shëmtuar bëri në ndeshjen e Kupës ndaj Bylisit që u përfol për tolerime në fushën e lojës dhe për të cilën ka hapur hetimet edhe Federata Shqiptare e futbollit. Kukësi do të kërkojë që shfrytëzojë këtë situatë aspak të qetë për të tentuar të shkurtojë diferencën me bardheblutë e për të mbajtur hapur llogaritë e titullit. partizani do të udhëtojë drejt Ballshit për të luajtur ndaj Bylisit. Të Kuqtë janë në një formë të mirë në këtë moment teksa vijnë pas 3 fitoreve radhazi dhe do të kërkojnë të vijojnë në këtë mënyrë, ndërsa ballshiotët do të duan t’i shkëputen akoma më shumë Vllaznisë për të mos rrezikuar hyrjen në zonën e playoffit.
Java e 32 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me ndeshjen mes Teutës dhe Skënderbeut. Skuadra durrsake që kërkon pjesëmarrjen në Evropë gjendet në vendin e tretë për momentin dhe do të kërkojë që ta ruajë atë ndërkohë që ajo është në lojë edhe për një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë. të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore do të transmetohen në platformën Digitalb.
Top Channel