Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës.
Në këtë takim pritet të propozohen masat e reja kundër koronavirusit, të cilat pritet të miratohen gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, që do të mbahet në ora 15:00.
Ky takim ndërmjet Hotit dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore, vjen në kohën kur në Kosovë, është rritur numri i të infektuarve nga koronavirusi dhe rastet e vdekjeve nga ky virus.
Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit janë regjistruar 557 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Gjatë ditës, mediat kanë raportuar se edhe pesë pacientë kanë vdekur nga koronavirusi.
Aktualisht në Kosovë janë 66 viktima të konfirmuara nga koronavirusi.
Vetëm gjatë të shtunës, autoritetet kanë konfirmuar se nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, kanë vdekur tetë pacientë.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me drejtoreshën e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajvazaj-Berisha, për të konfirmuar këtë lajm, por telefoni i saj nuk ka qenë i qasshëm. As infektologët brenda kësaj Klinike nuk kanë qenë të qasshëm për të dhënë shpjegime lidhur me gjendjen në Klinikën Infektive.
Arbnora Fazliu nga Mitrovica, vajza e një pacienti 70-vjeçar, që ka qenë i infektuar me koronavirus, e që ka vdekur në orët e hershme të së dielës, tha për mediat se dyshon që babait të saj nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.
Policia e Kosovës është parë në ambientet e QKUK-së. Megjithatë, as zyrtarët për informim të këtij institucioni nuk e kanë hapur telefonin, që të tregojnë për arsyen se pse ka forca të shtuara policore dhe pse është rrethuar me shirita të policisë Klinika Infektive. Por, më pas këta shirita janë hequr.
Sipas të dhënave të përgjithshme, 3,356 persona janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 1,874 janë shëruar dhe 1,416 persona vazhdojnë të jenë aktivë me koronavirus.
Top Channel