Pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vend.
Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin maj 2020, diaspora ka dërguar 22.3 milionë euro më shumë se sa muaji i njëjtë i vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se në muajin maj 2020, u sollën në Kosovë 100.7 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 78.4 milionë euro.
Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, rreth 89 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.
Duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka sjell mbi 16 milionë euro më shumë, ku gjatë muajve janar-maj 2020 kanë ardhur 348.3 milionë euro.
Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Për tremujorin e parë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 42.4 milionë euro, ndjekur nga Zvicra me 20.8 milionë euro dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.3 milionë euro, përcjell Telegrafi.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Telegrafi.com kishte thënë se gjatë periudhës se pandemisë COVID-19, përkatësisht muajt mars dhe prill, ka rënie të remitencave.
Ai kishte paralajmëruar se, mosardhja e diasporës në Kosovë, rrezikon që në mos sjelljen e një miliardë eurove të tjera nga shpenzimet e tyre.
“Nëse i referohemi vitit të kaluar, të hyrat nga remitencat kanë qentë 875 milionë euro ose në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto janë 12 për qind. Pritjet tona janë që remitencat të kenë rënie diku 14.1 për qind, gjatë këtij viti. Por, ne e kemi edhe kategori që diaspora i bënë në Kosovë, ne i quajmë shpenzime të udhëtimit, ku kjo shumë është rreth një miliard euro. Mos ardhja e tyre në Kosovë do ta rrezikonte këtë shumën prej një miliard euro”, tha Mehmeti.
Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /Telegrafi/
Top Channel