Pas shumë muajsh pritje dhe kaosi të krijuar nga pandemia coronavirus, Botërori i formula 1 i vitit 2020 më në fund ngriti siparin e tij me provat e lira dhe që në ditën e parë të tyre shpërthyen polemikat.

Protagonistë u bënë Red Bull dhe Mercedes me skuadrën austriake që bëri një ankesë zyrtare kundrejt skuderisë gjermane që ishte dominuese në dy sesionet e provave të lira të së premtes me Lewis Hamilton që ishte i pakapshëm nga askush, madje as nga shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas.

Objekt i ankesës së Red Bull kundrejt Mercedes ishte i famshmi sistemi DAS që u diskutua shumë edhe gjatë testeve dimërore të zhvilluara në Barcelonë në fillim të këtij viti. Red Bull pa që ky sistem u përdor gjatë provave të lira nga Mercedes që ka ndryshuar edhe telajon e saj në ngjyrë të zezë nga të argjendtë në shenjë proteste kundër racizmit, por kjo ankesë e skuderisë austriake u hodh poshtë.

Sipas FIA, makinat Mercedes u bënë objekt proteste nga ana e Red Bull për thyerje të rregullave teknike të F1 gjatë sesionit të dytë të provave të lira. Rregullat kishin të bënin me aparatet aerodinamikë në makinë dhe modifikimet në sistemin e amortizatorëve duke vendosur DAS në qendër të denoncimit. Në konferencën për shtyp, Christian Horner, Menaxheri i Red Bull kishte deklaruar se dëshironte që të qartësohej për këtë sistem që u deklarua jashtë normave për vitin 2021 duke shtuar se nëse ky sistem mund të quhet i vlefshëm për këtë sezon.

Top Channel