Letra e mbrëmjes/ Aktorët e Durrësit me nismën “Lexo edhe ti një letër”

04/07/2020 12:19

Një nga format më të bukura, po të harruara të komunikimit njerëzor vjen në një mënyrë krejt origjinale nga teatri “Aleksandër Moisiu”.

Një projekt që nuk mbetet vetëm tek aktorët profesionistë, por angazhon dhe dashamirësit e teatrit në botën magjike të interpretimit. Ideatoren dhe regjisoren e teatrit Driada Dervishin e gjejmë teksa nxiton drejt laboratorit të Multimedias në universitetin e Durrësit. Aty e pret Uendi për të montuar “Letrën e Mbrëmjes”.

“Për të mos e humbur komunikimin iu rikthyem komunikimit më të hershëm njerëzor, që është letra. Këtu lindi ideja e letrave të mbrëmjes që vendosa të ishte një takim i përnatshëm me publikun ku aktorët e teatrit, po jo vetëm ata, janë bashkuar përmes letrave të personazheve të ndryshëm, vendas e të huaj, që na tregojnë anë që publiku nuk i njeh, të realiteteve dhe kohëve të ndryshme. Është një nismë që po tërheq mjaft vëmendje pasi siç thuhet kur një realitet nuk na pëlqen ne mund ta krijojmë atë”.

Xhelal Tafaj, Adelina Muça, Aishe Stari, Besmir Bitraku, Gjergj Doçi etj. janë disa prej protagonistëve të mbrëmjes në rrjetet sociale. Por “Letra e mbrëmjes” nuk mbetet vetëm te aktorët. Ajo është zgjeruar dhe me nismën “Lexo edhe ti një letërduke bërë pjesë të saj edhe njerëz të profesioneve të ndryshme, dashamirës të magjisë së artit.

“Shumë artdashës që e duan teatrin, po nuk e kanë ndjekur dot pasionin e tyre, janë bërë pjesë e leximit të letrave të mbrëmjes dhe unë ju ftoj që nëse keni një letër të bukur të bëheni pjesë dhe të na shkruani në faqen zyrtare të teatrit.”

Pandemia dhe nismat e teatrit të Durrësit, që nisëm me audiotregimet e Çehovit për të vijuar me letrat e mbrëmjes, kanë nxjerrë në pah dhe dëshirën e shumë njerëzve për artin dhe të bukurën.

“Në këto muaj kemi parë se sa krijues janë njerëzit. Besoj te e bukura dhe e mira që ndodhet brenda çdokujt dhe veçanërisht në këtë periudhë kemi shumë nevojë për t’u drejtuar nga e bukura dhe arti. Jo vetëm për të pasuruar mendjen dhe shpirtin, por edhe të përditshmen.”/Vali Qyrfyci/

Top Channel