Buffon vendos rekord historik, Juventus fiton derbin dhe nis shkëputjen në krye

04/07/2020 20:04

Juventusi nuk gabon në kampionat, pasi sot fitoi derbin e qytetit përballë Torinos me rezultatin e thellë 4-1 dhe vijon të shkëputet në krye, pasi tani e sheh veten plot 7 pikë përpara Lazios së vendit të dytë.

Në një derbi tërësisht të veçantë për Gianluigi Buffon, i cili luajti takimin numër 648 në kampionat dhe vendosi një rekord si lojtari me m shumë ndeshje në Serinë A, bardhezinjtë bënë gjithçka mirë dhe morën një 3-pikësh tërësisht të merituar.

Ndonëse pritej më shumë rezistencë, Torino e nisi keq takimin dhe pësoi gol që në minutën e dytë, kur Paulo Dybala u fut bukur në zonë dhe gjuajti saktë me të majtën, ndërsa topi u devijua edhe nga një mbrojtës i skuadrës “granata”, për t’u ndalur në rrjetë.

Në minutën e 29’ ishte kolumbiani Juan Cuadrado që shënoi edhe golin e dytë për Juventusin, pasi bëri gjithçka mirë në zonë dhe mposhti sërish portierin Sirigu, ndërsa vetëm pas këtij goli, Torino u zgjua dhe provoi të reagojë.

Në minutat shtesë të pjesës së parë De Ligt ndali me dorë një gjuajtje drejt portës, ndërsa me dy minuta vonesë, arbitri kryesor u sinjalizua nga VAR-i për të rishikuar aksionin dhe pasi e bëri këtë, akordoi penallti për Torinon.

Nga pika e bardhë e 11-metërshit shkoi kapiteni i “granatave” Andrea Belotti, i cili u tregua i saktë dhe shënoi golin që rihapi takimin, ndërsa Buffon kuptoi krahun, por nuk arriti të bëjë asgjë për të ndalur topin.

Pjesa e dytë nisi gjithashtu mjaft mirë për Torinon, që iu afruar disa herë rrezikshëm kuadratit të Buffon, por pikërisht në momentin më të mirë të “granatave”, Juventus gjeti edhe golin e tretë me Cristiano Ronaldon, i cili shënoi pas një ekzekutimi perfekt të një goditjeje dënimi.

Ky gol shoi shpresat e Torinos se mund të shmangte humbjen në “Allianz Stadium”, ndërsa në minutat e fundit ishte mbrojtësi i “granatave” Djidji, që shënoi në portën e tij dhe vulosi rezultatin 4-1 në favor të Juventusit.

Me këtë fitore bardhezinjtë provojnë të shkëputen në krye të renditjes me 75 pikë, 7 më tepër se Lazio e vendit të dytë, që në mbrëmje do të përballet me Milanin në “San Siro”, në një sfidë që do të mund ta ndiqni në platformën Digitalb.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta