Ardhja në Tiranë e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti mundësoi një takim të tij më Edi Rama, takim që u përmbyll me një konferencë të përbashkët për shtyp.
I pyetur nëse kryeministri i Shqipërisë i ka kërkuar homologut të Kosovës që të bëhet pjesë e tryezës së shengenit rajon, Rama u shpreh:
“Janë tre fjalë kyçe sot për ardhmërinë e Kosovës dhe ardhmërinë e ambicies strategjike të shqiptarëve në rajon: drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm dhe dialog për paqe me njohje përfundimtare.
Unë besoj se në rast se arrihet që në këtë moment të vështirë për një mijë e një arsye dhe jo vetëm thjesht për arsyen madhore të ditëve të fundit, që ne të jemi të përqëndruar dhe faktorët e aktorët politikë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e ku janë të ndajnë atë çka është arsye për të qenë të ndarë në temat e mirëqeverisjes së brendshme me atë që është arsye për të qenë të bashkuar si shqiptarë në temën e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së ardhmes së Kosovës ndërkombëtarisht, këto tre fjalë kyce mund të na japin mundësinë që të jemi të gjithë krenarë për kapërcimin me sukses të një faze të vështirë.”
Më tej Rama shtoi:
“Është e domosdoshme t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së çdo pretendimi apo akuze për krimet e luftës, por pa ekuivok t’i kundërvihemi çdo fletërrufeje që e cënon dinjitetin e luftës së UÇK-së dhe dinjitetit të Kosovës. Kosova sot ka një ballafaqim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, në frontin e mbrojtjes së dinjitetit të luftës dhe qenies një shtet demokratik dhe sovran i ngritur jo mbi krime lufte, por një lufte çlirimtare.
Unë nuk kam si të ndryshoj mendim për të qenë bashkë edhe në tryezën e shengenit rajonal, që nuk është alternativë e integrimit në BE, por krijim i një hapësire të përbashkët duke shfrytëzuar potenciale të pashfrytëzuara, kush i bie ndesh kësaj, vrapon ta karakterizojë me nevojat e Beogradit, ndërkohë që unë qëndroj te potenciali ynë me Kosovën.
Vullneti në Tiranë dhe Prishtinë nuk ka munduar, por të arriturat nuk kanë qenë, prandaj kërkojmë shengenin për lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitaleve. Është thjesht çështje refuzimi për të rënë në batakun e teorive të konspiracionit dhe akuzave ordinere të ditës. Nuk është patriotizëm të mbyllesh apo barrikadohesh, apo të thuash një gjë apo të bësh një tjetër, por të kapërcesh të gjitha barrikadat, që mbahen në këmbë nga barrikaderos profesionistë që kanë një qëllim, pushtetin, asgjë tjetër.”
Top Channel