Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të mërkurën se ligji për sigurinë që Kina aktivizoi në Hong Kong është “një fyerje ndaj të gjitha vendeve” dhe se Uashingtoni po ndërmerr hapa për t’u dhënë fund lëshimeve të veçanta për rajonin kinez.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara mbi klauzolat e gjera të ligjit dhe për sigurinë e të gjithë atyre që jetojnë në atë territor, përfshirë amerikanët”, tha zoti Pompeo. Kongresi Popullor Kombëtar kinez e miratoi ligjin të martën vonë, në prag të 23 vjetorit të kthimit të Hong Kongut në sundimin kinez.
Ligji parashikon dënime të rënda për krime të papërcaktuara qartë si “bashkëpunim të qëllimshëm me vende të huaja”. Krime si dëmtimi i transportit publik mund të konsiderihet si veprimtari terroriste, e dënueshme me burgim të përjetshëm. Analistët ligjorë thonë se në thelb ligji u jep fund lirive politike që për një kohë të gjatë u jepnin mundësi banorëve të Hong Kongut që të shprehnin pikëpamjet e tyre dhe kishin kontribuar në transformimin e territorit në një qendër ndërkombëtare biznesi. “Neni 38 i ligjit të ri synon të zbatohet edhe për shkelje të kryera jashtë Hong Kongut nga njerëz që nuk janë banorë të Hong Kongut dhe kjo ka gjasa të përfshijë amerikanët. Kjo është indinjuese dhe një sfidë ndaj gjithë vendeve tona”, tha zoti Pompeo.
Tensionet SHBA-Kinë në rritje
Ndërsa Pekini ka rritur kontrollin ndaj Hong Kongut, udhëheqësit amerikanë thonë se veprimet e Kinës kërcënojnë interesat ekonomike, sigurinë dhe vlerat e Amerikës. Analistët thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët, prej dekadash. “Veprimet ndaj Hong Kongut janë veçanërisht alarmuese. Nëse Partia Komuniste kineze e sheh në këtë mënyrë detyrimin ndaj popullit të vet, atëherë pjesa tjetër e botës, duhet të jetë vërtet e frikësuar se çfarë duhet të presë nga veprimet globale të regjimit”, thotë James Carafano, zëvendës president për sigurine kombëtare i Fondacionit “Heritage”.
Në Pekin, Kina vendosi kufizime të mëtejshme ndaj agjencive amerikane të lajmeve këtë javë, duke u thënë katër organizatave se duhet të japin detaje për operacionet e tyre të biznesit në vend, në përgjigje të asaj që Pekini e quajti “shtypje” nga Shtetet e Bashkuara të organeve stë medias shtetërore kineze. Ishte një veprim i ngjashëm me atë të para disa muajve që Kina ndërmori ndaj mediave të huaja, përfshirë Zërin e Amerikës. Lëvizja e Pekinit erdhi disa ditë pasi Uashingtoni i klasifikoi katër organe shtesë shtetëre kineze mediash që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, si “misione të huaja”.
Top Channel