Cakaj përshëndet marrjen e Presidencës nga Gjermania: Punë intensive për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare

02/07/2020 15:16

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook, përshëndeti marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Gjermania.

“Përderisa nën Presidencën Kroate është arritur vendimi historik për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me Presidencën Gjermane do të punojmë fort e ngushtë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare”, theksoi Cakaj në postim.

Gjithashtu, Kryediplomati Cakaj cilësoi se mbështetja e Gjermanisë ka qenë jetike për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Lidhur me këtë çështje, Cakaj shprehu bindjen se me Presidencën Gjermane të Këshillit do të punohet ngushtësisht për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe kryerjen e të gjitha detyrimeve të nevojshme për përparimin e mëtejmë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Vlen, natyrisht, të theksohet se liberalizimi i vizave me Republikën e Kosovës është i një rëndësie thelbësore, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA