Sportet e luksit/ Rinisin garat me gamilje në Emiratet e Bashkuara, pas pesë muaj ndalesë

01/07/2020 21:53

Emiratet e Bashkaura Arabe kanë njoftuar këtë muaj rinisjen e garave me gamilje pasi koronavirusi pezulloi për pesë-muaj sportin e preferuar të milionerëve.

Aktiviteti ka qenë prej disa dekadash pjesë e trashëgimisë kulturore të Emirateve pasi gamiljet konsiderohen si kafshët e çmuara të Beduinëve.

“Të zotërosh një gamilje, megjithse kjo varet nga raca e saj, mund të kushtojë shumë, një fermë me katër gamilje shpenzon rreth 200,000 dollarë në vit,” tha Abdullah al-Falasi, drejtor i marketingut, të organizatorëve të garave Dubai Camel Racing Club.

Zakonisht sezoni i garave zgjat nga shtatori deri në prill, por ai u ndërpre prej pandemisë. Tashmë garat tradicionale do të rinisin në stadiumin Marmoum në Dubai.

Falasi shtoi: “Dubai do të nisë sportin në gusht, por Abu Dhabi do të bëjë një garë këtë muaj. Garat e gamiljeve janë të rëndësishme si sporti tradicional i Emirateve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të Gjirit Persik. Ato transmetohen në televizion dhe në gara marrin pjesë nga 20 deri në 80 gamilje.”

“Para pandemisë në gara kishte 1,000 deri në 1,500 spektatorë në javë, por këto shifra nuk lejohen tashmë. Spektatorët lejohen vetëm në makina dhe ata duhet të largohen shpejt pas përfundimit të garës. Ne shpresojmë që gjithçka të kthehet në noramlitet”, tha Falasi.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel