Top Channel zbulon detaje tronditëse nga rrëfimi i Adjola Lakrës: U lidha me Sebastian Malin para 2 viteve …

29/06/2020 11:08

Top Channel ka mësuar detaje nga rrëfimi i 26-vjeçares, Adjola Lakra, për të cilën Gjykata vendosi “arrest me burg”, ditën e sotme, pasi dyshohet si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës.

Burime për Top Channel mësojnë se Lakra se si është njohur dhe lidhur me Sebastian Malin para dy viteve.

“U lidha me Sebastian Malin para dy viteve, sapo kishim ardhur në Tiranë, ku jetoj me familjen. Në një parukeri i njoha me Lule Malin, e ëma e Sebastian Malit. E më pas u lidha me Sebastian Malin. Një ditë Sebastiani më mori telefonin, më tha dua të shoh diçka dhe klikoi një llogari me emrin Lani Billa në Instagram, e më pas i bëri ftesë. E pyes se kush është dhe më tha “hasmi im”! Por, më tha, mos ki merak se nuk jam budalla të të fus ty dhe familjen tënde në siklete. Personi me emrin Lani Billa me pranoi ftesën, ne filluam të flasim dhe unë fillova ta pëlqej. Ai më tha se jetonte në Anvers, Belgjikë”, ka thënë Lakra, ndërkohë që shton se u lidhën me Billën në nëntor të vitit 2019.

“U lidhëm në nëntor të 2019, takoheshim përherë pranë qendrës tregtare pasi Lani jetonte me qira aty afër”.

Në atë kohë, Lakra tregon se i ka dhënë fund lidhjes me Sebastianin.

“Unë ndërkohë u ndava nga Sebastiani, i thashë që më pëlqen Lani dhe ai më tha të vazhdoj jetën time”.

“Ditën e ngjarjes e lam do të takoheshim në darkë”, shton më tej Lakra.

Siç thonë burime të Anila Hoxhës, Hekuran Billa i ka shkruar të dashurës se vonohej pasi kishte punë në Doganën e Durrësit.

Gazetarja Anila Hoxha shpjegon se vajza foli me viktimën në orën 17:00 të asaj dite.

“Në orën 20 e lam që do të takoheshim për një orë”, rrëfen vajza, “u nisa me makinën time, por rrugës kishte shumë trafik. Hapa telefonin dhe pashë çfarë kishte ndodhur, aty pashë që kishte ndodhur një vrasje”, shton më tej e dyshuara, që këmbëngul se lënia e takimit me të dashurin dhe vrasja e tij ishin një rastësi.

“U ktheva dhe parkova makinën në garazh, aty pashë Sebastianin duke qarë dhe duke i rënë timonit me grushta”, shton më tej e dyshuara.

“Kur unë po qaja më pa Lulja, mamaja e Sebastianit dhe më pyeti se “çfarë ke?”, i thashë: Kanë vrarë Lanin!”.

Kur grupi i hetimit e pyeti të dyshuarën se ku e ka telefonin, 26-vjeçarja u përgjigj: E theva nga dëshpërimi!

Në total, pas arrestimit të Lakrës, shkon në 3 numri personave që u janë vënë pranga. Pas hekurave qëndron Viktor Marku, si autori kryesor i dyshuar edhe Sebastjan Mali, nipi i Prel dhe Viktor Markut.

Top Channel