Dy orë për të eliminuar Norwichin, Manchester United gjysmëfinalistja e parë e Kupës

27/06/2020 22:20

Manchester United vuajti jo pak në ndeshjen çerekfinale të FA Cup përballë modestëve të Norwich dhe iu deshën plot 120 minuta lojë për të siguruar kalimin për në fazën gjysmëfinale, falë fitores me rezultatin 1-2.

Me një pjesë të mirë të titullarëve të lënë pushim nga ana e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, Manchester United vuajti në organizimin e manovrës sulmuese në pjesën e parë dhe nuk arriti të godasë asnjë herë kuadratin e mbrojtur nga holandezi Tim Krul.

Sfida u zhbllokua në minutën e 51-të, kur sulmuesi Ighalo arriti të dërgojë topin në rrjetë, pas një rrëmuje në zonë, ndërsa vendasit barazuan 10 minuta para fundit me anë të Cantwell, i cili shënoi me një goditje të bukur nga distanca.

Gjërat u komplikuan për Norwich në minutën e 88’, kur mbrojtësi Timm Klose u ndëshkua me karton të kuq për një mbajtje të kundërshtarit si lojtar i fundit dhe vendasit u detyruan të luajnë kohën shtesë me një lojtar më pak.

Thuajse gjatë gjithë 30-minutëshit të shtesës, Manchester United dominoi dhe krijoi një mori rastesh, por holandezi Tim Krul ishte në një formë të mrekullueshme dhe bëri disa pritje spektakolare deri në minutën e 118’, kur mbrojtësi Harry Maguire e mposhti pas një rrëmuje në zonë.

Me rezultatin 1-2, Manchester United bëhet skuadra e parë gjysmëfinaliste e FA Cup dhe nesër do të mësojë emrin e kundërshtarit, që do të dalë nga përballja mes Leicesterit dhe Chelseat./supersport.al/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA