Maqedonia e Veriut hapi të premten të gjitha vendkalimet kufitare, pa pengesa dhe pa detyrim për kryerjen e testit të koronavirusit apo karantinë.

Ndërkohë, nga 1 korriku, do të hapen për qarkullim edhe aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe ai në Ohër. Sidoqoftë, mbetet detyrimi për respektimin e rekomandimeve për mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse personale, ruajtjen e distancës fizike dhe dezinfektim të shpeshtë. Sipas autoriteteve shëndetësore, hapja e kufijve nuk paraqet rrezik të dukshëm për rritjen e numrit të rasteve të reja sepse transmisioni lokal është rrezik më i madh.

Vlerësimi është se hapja e kufijve me respektim të masave parandaluese e redukton në minimum rrezikun për rritjen e numrit të pacientëve të diagnostikuar. Me hapjen e plotë të kufijve të vendit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të mund të udhëtojnë lirshëm jashtë kufijve por, me përjashtim të Shqipërisë, Serbisë, Kosovës dhe Turqisë, ky detyrim mbetet për hyrjen në disa vende të rajonit dhe të BE-së. Për udhëtimin në vendet e BE vlejnë udhëzimet e lëshuara nga komisioni evropian për hapjen e kufijve nga 1 korriku i këtij viti.

Greqia ndërkohë, sipas autoriteteve në Athinë, për momentin i qëndron planit fillestar për hapjen e kufijve më 1 korrik, por sidoqoftë, ato thonë se plani azhornohet vazhdimisht. Në anën tjetër, sllovenia dhe Kroacia kanë paralajmëruar mundësinë e ashpërsimit të regjimit kufitar dhe kthim të detyrimit për karantinë dy javore për të gjithë ata që hyjnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina, duke patur parasysh pasqyrën epidemiologjike në këto vende. Bullgaria ndërkohë, vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme deri më 15 korrik, për shkak të valës së re të të infektuarve me koronavirus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA