Veliaj: Kemi përveshur mëngët për mandatin e tretë të Edi Ramës kryeministër

25/06/2020 14:39

Pas Petrelës, Zallbastarit, fshatit Qeha dhe Pëllumbasit, Bashkia e Tiranës bën me dije se është transformuar edhe qendra e fshatit Baldushk, duke përfshirë rrugën, sheshin, zyrat e Njësisë Administrative dhe qendrën e kulturës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se krahas rregullimit të qendrave urbane, po punohet edhe për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale.

“Sot është një ditë e bukur për të qenë në Baldushk, një zonë tërësisht e transformuar. Dikur kishte me pirgje dherash, inertesh dhe ndërtime pa leje, tani ka fituar një qendër fshati. Nuk është sheshi “Skënderbej”, por nuk ka asgjë mangët nga një shesh që mund të shohësh në një fshat të Italisë apo Greqisë. Kështu kemi bërë edhe në qendër të Petrelës, në Qeha, në Zallbastar, në Farkë etj”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se këto investime mund të ishin bërë shumë më herët nga kreu i opozitës kur ishte në qeveri e bashki, por ai nuk e pati asnjëherë vullnetin. “Është një lajm i shkëlqyer që lideri i opozitës del nga vilat e oligarkëve dhe shkon në Shqipërinë reale. Kështu mund të shohë njësitë që dikur janë administruar nga PD-ja dhe kupton se sheshin apo rrugën mund ta kishin bërë ata, mund të kishin qenë ata në krye të punëve të vendit, mund t’i kishin bërë ata urat, këndet e lodrave, sheshet sportive. Besoj se është lajm fantastik që kundërshtari ynë po del nga zona rezidenciale, nga vilat e oligarkëve dhe po shikon aty ku punon dhe ku jeton Shqipëria reale”, tha ai.

Veliaj i dha një këshillë miqësore kreut të opozitës, i cili ngatërroi Baldushkun me Farkën. “Ne nuk mund t’i japim njohuritë bazë të gjeografisë, pra kur je në Baldushk, je në Baldushk dhe jo në Farkë; nuk mund t’i japim dot informacion për çmimet – e di gjithë Tirana se çmimi i ujit nuk është më i shtrenjtë se çmimi i qumështit, përveçse kur je Lul Basha që e lan makinën me Evian. Por, në një familje normale, kur fatura e ujit është 65 lek/metër kub, i bie 1 mijë shishe litroshe me 65 lekë, sa gjysma e një litër qumësht. Megjithatë, detyra jonë është të tregojmë se PS di ta transformojë në çdo cep vendin, si në Tiranën urbane ku PS-ja ka fituar sistematikisht sepse është udhëhequr nga kryetarë bashkie si Edi Rama, që ka lënë një gjurmë, që s’u ka ngelur Sahati. Patjetër, ka ende shumë punë për të bërë, por sfida ime është t’i tregojmë kundërshtarëve se çfarë dimë të bëjmë në ish-zonat e tyre”, shtoi Veliaj.

Teksa siguroi se ky transformim do të vijojë në të gjitha njësitë e Tiranës, ai tha se ka nisur puna për një mandat të tretë të Edi Ramës kryeministër. “Po të shikosh sot sesi edhe lideri i opozitës shkon më kollaj në Zallbastar me rrugën e re, shkon më kollaj në Zallherr me rrugën e re të Çekrezës dhe Kasallës, shkon më kollaj në Krrabë përmes një rruge e cila nuk ishte prekur prej tyre për vite të tëra kur e kanë qeverisur këtë vend. Është një lajm i mirë për ta njohur këtë realitet dhe për të kuptuar se i kemi përveshur mëngët për fushatën e tretë, për fushatën e Edi Ramës kryeministër, për fushatën e PS-së në krye të vendit. Do të fitojmë jo vetëm në Tiranën urbane, por do të kemi rezultatin tonë më spektakolar në Tiranën rurale, aty ku deri dje nuk e njihte kush as gjelin e Baldushkut, as nuk kishte investuar në këto sera, as nuk kishte sjellë këtë urbanizim”, tha kreu i Bashkisë.

“Po jetojmë në një situatë të vështirë pandemie, po ashtu edhe situata e menaxhimit të tërmetit, ndaj pyetja është: Kë duam në krye të punëve të vendit në orën 03:56 kur bie tërmeti? Atë që fle gjumë, siç bëri për teatrin, për Astirin dhe çdo punë tjetër? Apo do dikë që është vetë në këmbë dhe ngre në këmbë të gjithë shtetin, për të përballuar fillimisht emergjencën dhe pastaj rindërtimin. Ky ishte Edi Rama! Për sa kohë që kjo përgjigje është e qartë në Tiranë, është e qartë edhe në fshat”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se promovimi i turizmit rural do të marrë më shumë vëmendje dhe theksoi se zyrat e bujqësisë do të shkojnë pranë fermerëve. Mandej, Veliaj dha lajmin e mirë për familjet e prekura nga tërmeti, të cilat do të marrin në kohë rekord edhe pagesat cash. “Nga java tjetër nisin pagesat e tërmetit. Lajm i mirë për familjet, lajm i mirë edhe për politikat në vend, krahasuar me atë që sot del nga vilat e oligarkëve dhe e kupton se partisë së tij, kur ishte ministër, i duheshin 10 vjet për të dëmshpërblyer qytetarët e Shkodrës nga përmbytjet. Pra u desh të vinte qeveria e Edi Ramës për t’ua dhënë paratë. Ndërkohë, ne na është dashur më pak se 10 muaj për pagesat cash”, u shpreh kryebashkiaku.

Në emër të banorëve, deputeti i PS, Xhemal Qefalia falenderoi Bashkinë e Tiranës për investimet në të gjitha zonat periferike. “Ju falenderoj sepse kjo është një zonë shumë e hapur, këtu vijnë banorët për të marrë shërbimet dhe do të shohin një mjedis si ai në qendër të Tiranës. Ndryshe nga kryetari i Partisë Demokratike, i cili vjen në Baldushk dhe thotë që jam në Farkë”, tha Qefalia.

Sipas projektit, janë realizuar punime për rehabilitimin e rrugës që të çon në qëndrën e njësisë, si dhe janë ndërtuar kanalizime dhe është vendosur edhe ndriçimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA