Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se mazhoranca është gati të ulet me opozitën parlamentare dhe të diskutojë propozimin e kësaj të fundit sa i takon hapjes së listave në zgjedhje.
“Ne nuk kemi thënë që nuk do t’i marrim në konsideratë propozimet e kolegëve për Reformën Zgjedhore. PS ka vetëm një kusht për këtë reformë: votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Për sa i përket çështjeve që ju propozoni për hapje listash, nuk është tabu, jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë”, tha Balla.
Po kështu, numri dy i PS-së ceku edhe temën e aktakuzave për krime lufte ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli nga ana e Prokurorisë së Hagës. Balla u shpreh se Thaçi dhe Veseli janë të pafajshëm.
Top Channel