​Veteranët e luftës së UÇK-së: Propozim-aktakuza ndaj Thaçit e Veselit është politike

25/06/2020 16:41

Organizata për Veteranët e Luftës së UÇK-së vlerëson se propozim-aktakuza nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për presidentin, Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli është krejtësisht politike.

Madje ata po kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale dhe të futen edhe krimet e kryera në Kosovë nga pala serbe.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se Gjykata Speciale është formuar nga raporti i senatorit zviceran Dick Martit mbi të ashtuquajturat ‘trafikime me organe njerëzore në ‘Shtëpinë e verdhë’’ dhe se këto akuza nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj tha se nga mbledhja e këshillit drejtues kanë dalë me disa vendime siç është se ngritja e aktakuzës së pa konfirmuar dhe momenti kur është bërë publike kjo aktakuza, tregon se Gjykata Speciale është e ndikuar politikisht dhe në mënyrë të kundërligjshme po tentohet të pengohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj ndër të tjerash nuk i ka përjashtuar as protestat./KosovaPress/

Top Channel