Gjykata ka dhënë masën e sigurisë për Viktor Markun, i cili u arrestua për ekzekutimin e Hekuran Billës në 11 qershor në zonën e Komunës së Parisit.

Mësohet se Gjykata ka vendosur për Markun ‘Arrest me Burg’. Vendimi u dha sot nga trupi gjykues, i cili pas shqyrtimit të provave vendosi të lerë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij.

Kujtojmë se seanca e dhënies së masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Viktor Marku, i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Billës, u shty për ditën e sotme. Sipas avokatit të Markut kishte disa paqartësi në mënyrën se si ishte ndaluar dhe arrestuar Marku, se si ai më tej u soll nga Mali i Zi në Shqipëri.

Vetëm pak ditë më parë, më 11 qershor Tirana do të tronditej nga një vrasje e bujshme. Hekuran Billa u ekzekutua rreth orën 22:00 të së premtes te Komuna e Parisit, pranë qendrës tregtare “Kristal”. Atentatori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ku pak minuta më vonë në Pezë të Vogël, u gjet dhe makina e djegur që përdorën autorët për t’u larguar.

Kush ishte Hekuran Billa?

Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje mbetur ne tentative” dy herë si dhe “Plagosje me dashje”. Ekzekutimi tij ka sjellë nxjerrjen në dritë dhe rastin e një të dënuar me burgim të përjetshëm, por që çuditërisht shëtiste i lirë dhe me BMW X6, në Shqipëri.

Hekuran Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër. Më pas Billa është deportuar nga Anglia në Shqipëri me qëllim vuajtjen e dënimit me burg përjetë në Shqipëri.

E kishte lënë burgun pas krahëve në Shqipëri në 23 shkurt 2019, duke shfrytëzuar disa gjykata në vend që i njohën vendimin e drejtësisë britanike nga 32 vite në 25 vite burgim.

Por vendimi që e afroi me lirinë është ky vendim i Gjykatës së Krujës aty ku i burgosuri mbahej. Sipas vendimit të gjyqtares Enkeleida Hoxha 40-vjeçarit të dënuar me 32 vite burg nga drejtësia britanike i kishin mbetur dhe pesë vite burgim. Në muajin shkurt gjykata vlerësoi se Billa kishte qëndruar ne qeli 19 vite, edhe vrasja që ai kreu në një lokal në Britaninë e Madhe ndodhi në tetor 2006.

Gjykata në vendimin që Top Channel disponon urdhëron shërbim prove për Hekuran Billën për pesë vitet e ardhshme, me kushtin qe ai të rehabilitohej. Gjykata mori parasysh pretendimin e të burgosurit që këmbënguli se prindërit e tij ishin të moshuar dhe jetonin vetëm.

Por provat që bindën gjykatën lidhen drejtpërdrejtë me një sërë shkresash e raportesh mjekësore që vërtetonin gjendjen jo të mirë shëndetësore të prindërve të Billës, si dhe një kontratë që Billa e kishte siguruar nga qelia dhe që garantonte punësimin e tij si korrier në një studio në kryeqytet.

Këto dokumente nuk u kontrolluan asnjëherë ashtu si edhe dënimi me kusht i 40-vjeçarit, i arrestuar pas krimit në Danimarkë në vitin 2007. Njëkohësisht gjykata të tjera kishin dhënë vendime për Billën.

Siç rezulton nga dokumentet, pasi Billa kreu krimin në Britani në vitin 2006, në korrik 2013 ministria e drejtësisë nisi procedurat për ekstradimin e tij. Më pas dënimi i drejtësisë britanike zbriti në 25 vjet burg në Shqipëri nga 32 që kishte dhënë Britania e Madhe qe njihet ndryshe si dënim plotësues i përjetshëm.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet për të zbuluar se si vendimi i drejtësisë britanike u njoh në vetëm 25 vite burg dhe se si hallkë pas hallke ky dënim zbriti në pesë vite kusht.

Por çfarë e lidhte Markun me viktimën?

I arrestuari në Malin e Zi është vëllai i Prel Markut, të cilin Billa e kishte vrarë në vitin 2006. Më herët është arrestuar edhe nipi i Viktorit, Sebastian Mali. Ai u shpall në kërkim 1 ditë pas vrasjes së Billës, pasi nuk u gjet në banesë për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ditën e djeshme, Gjykata Penale e Tiranës vendosi që 22-vjeçari të qëndronte në burg.

22 vjeçari Mali, gjatë seancës ka mohuar që ai të ketë qenë i përfshirë në vrasje, ndërsa nuk ka mohuar faktin që ai ka qenë pranë vendit të ngjarjes me alibinë që do të takonte të dashurën pranë qendrës tregtare ku ndodhi edhe ekzekutimi i Billës.

Si ndodhi ngjarja?

Sebastian Mali duke përdorur një kartë klienti, mbërriti në një pikë servisi në Laprakë, tre orë para vrasjes së Hekuran Billës dhe iu ka kërkuar atyre një makinë.
Ai iu lut punonjësit të servisit që të parkonte makinën e tij “Smart” në servis dhe të merrte me vete një makinë “Nissan Micra” që më vonë shfaqet në një radhë kamerash sigurie teksa i paraprin makinës së vrasësve.

Pikërisht me këtë “Nissan Micra” u shoqërua automjeti që më pas u gjet i djegur mbas krimit në fshatin Pezë. Sebastian Mali e mori mjetin në orën 20 e 30 minuta të datës 11 qershor, me justifikimin se do të takonte të dashurën. Ai u rikthye në 23:00 për të marrë më pas makinën e tij që kishte parkuar në servis.

Por edhe makina “Smart” nuk ishte në pronë të të riut, pasi ishte marrë me qira në Shkodër. Hetimet zbuluan se Viktor Marku e mori me qira “Smart-in” më dy mijë lekë dita dhe pas krimit motra e tij u paraqit dhe pagoi detyrimin përkatës.

Nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se Viktor Marku ka dalë nga Shqipëria në datën 19 janar thonë burime të prokurorisë, që saktësojnë se pavarësisht kësaj alibie një dëshmitar në Shkodër i rrëfeu policisë se mjetin “Smart” ja kishte dhënë Viktor Markut, që është vëllai i Prel Markut, i vrarë nga Hekuran Billa në Britaninë e Madhe në vitin 2006.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA