Sadik Efovia ka lindur në Shkodër më 26 shtator 1939. Në fakt shumëkush nuk e ka njohur me emrin Sadik por si Qako. Një njeri i dashur, i ëmbël dhe me shumë humor. Padyshim, edhe një prind dhe një gjysh shumë i dashur.
Ai është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare por duke lënë pas një kujtim shumë të mirë tek të gjithë ata që e kanë njohur, janë stërvitur me të dhe kanë qenë nxënësit e tij. Qako Efovia ka qenë një sportist i mirë dhe një intelektual shumë i zoti. Njohës shumë i mirë i letërsisë, historisë dhe gjeografisë shqiptare dhe asaj botërore. Ka zotëruar shumë mirë gjuhën serbo- kroate dhe në pamje të parë, ai është konsideruar si një “enciklopedi” e vërtetë.
Me natyrën e tij tepër simpatike, plot ëmbëlsi dhe humorin e tij tipik, Qakoja do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij por të gjithëve që e kanë njohur si shok, koleg dhe mësues. Në vitin 1960 ka mbaruar Institutin për gjuhë- letërsi dhe më pas, për 10 vite me rradhë ka punuar në fshatrat Golem, Berdicë e Trush.
Më pas, në vitin 1970 fillon punë si mësues fiskulture në shkollën e mesme industriale Shkodër dhe në të njëjtën kohë, do të vazhdojë me korrespondencë Insitutin e Fiskulturës në Tiranë në të cilin diplomohet në vitin 1972. Tek kjo shkollë do të punonte derisa doli në pension.
Karriera e sportive
Karrierën sportive e ka filluar që në moshën e gjimnazit rreth vitit 1957 dhe e ka vazhduar si lojtar në pozicionin e shuterit të ekipit të Vllaznisë por edhe si lojtar shuter i kombëtares deri rreth vitit 1973. Si student i gjimnazit “28-29 Nentori” edhe në pushime në mes orëve të mësimit shpejtonte bashkë me shokët të luanin volejboll gjithë pasion bashke me të ndjerin Ndok Pistulli.
Një person ky të cilin e kujtonte me shumë dashuri dhe respekt si një shok tepër simpatik dhe të talentuar jo vetem si sportist por dhe si student dhe muzikant.Me volejbollin ka vazhduar deri rreth viteve 1973, duke vazhduar të japë kontributin e tij edhe si mësues i edukimit fizik. Për rreth 4 vite, 1987- 1991, ka qenë edhe trajner i dytë i ekipit të volejbollit të vajzave të Vllaznisë. Trajner i parë ka qenë Mark Grimci me të cilin Qakoja ka qenë shok që në rini dhe kanë luajtur bashkë në ekipin e Vllaznisë./Marrë nga Shkodrasport/
Top Channel