Prej mëse 10 ditësh, banorët e Çermës në Bashkinë e Divjakës vuajnë ndotjen alarmante, e cila vjen nga djegia e plehrave pranë lumit Shkumbin.
Kjo është pamja që vjen 24 orët e fundit nga fusha e mbetjeve e bashkise Rrogozhinë. Re të mëdha tymi përhapen me ndihmën e erës në drejtim të zonës së Çermës.
Banorët thonë se kjo situatë përsëritet çdo 2 ditë duke e bërë jetesën e tyre gjithnjë e më të vështirë. Disa ditë më parë, zjarri përfshiu pjesën hyrëse në këtë fushë mbetjesh dhe u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikse nga Lushnja. Edhe pse u fik atë ditë, ky problem nuk mori fund pasi janë aktivizuar sërish vatra të tjera zjarri.
Për hedhjen e mbeturinave në këtë pikë buzë lumit Shkumbin dhe për ndotjen e shkaktuar, Bashkia Rrogozhinë është gjobitur dy herë. Ajo që ka ndryshuar pas këtyre gjobave është hapja e një kanali që të çon në këtë pike me qëllimin e bllokimit të mjeteve që hedhin mbeturinat, por nga ana tjetër askush nuk po merr masa për të ndaluar djegien e plehrave .
Top Channel