Në kuadër të vizitave për një ambient të pastër, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bashkë me deputetë sot kanë vizituar KEK-un.
Aty nga afër panë furnizimin me thëngjill, grumbullimin e mbeturinave dhe liqenin artificial.
Për këtë të fundit, i cili është shndërruar në atraksion për qytetarët, u bë thirrje të mos vizitohet dhe të izolohet përmes shenjave të rrezikut.
Osmani tha se është e domosdoshme që të mbrohet jeta e qytetarëve nga vende të tilla. Ajo kërkoi që të evitohet sa më shumë ndotja e ajrit nga KEK-u.
“Qysh nesër do të ishte e domosdoshme që ju si KEK t’i vendosni komplet shenjat rrezikut, sepse nuk po më duket që thjesht të ndalohet hyrja. Nganjëherë vetë fakti të ndalohet dikujt mund t’i duket si atraktive. Kështu që është e domosdoshme që t’i mbrohet jeta e qytetarëve që çdo kund në këtë vend të rrezikshëm të vendosen shenjat…Shpresoj që përmes kësaj vizite të sotme do të përçohet mesazhi që ky vend është i rrezikshëm dhe KEK-u do t’i trajtojë të gjitha kërkesat e qytetarëve të Obiliqit”, tha Osmani.
Shqetësimin e njëjtë për vizitat e shumta të qytetarëve në liqenin e shndërruar në atraksion, e ndau edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK, Luigj Imeri. Por, ai theksoi se do të marrin masat e duhura për të parandaluar këto frekuentime të qytetarëve në këtë hapësirë.
“Shqetësimin e ndajmë, është njëra prej pikave që nuk është për t’u lavdëruar për KEK-un. Por është një sfidë e jashtëzakonshme që realisht, meqenëse jam në KEK më herët, një periudhë e gjatë prioritet ka qenë stabilizimi me energji elektrike. Të jemi të vetëdijshëm, të gjithë se një periudhë nuk është diskutuar çështja e ambientit nga ajo që sot është në rend të parë”, tha ai.
Osmani gjatë ditës vizitoi edhe komunën e Obiliqit, ku mori pjesë në diskutimin me të rinjtë e kësaj komune për ruajtjen e ambientit./KosovaPress/
Top Channel