Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media sot ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova ka definim të qartë sa i përket procesit të dialogut, teksa shtoi e SHBA-të janë garanci e madhe që pritet t’i prijë dialogut për njohjen reciproke.
“Aleanca vlerëson se Kosova ka tashmë definim të qartë në procesin e dialogut dhe parimin e bazë që janë bazë e këtij procesi. Parimi i integritetit territorial, pra mos diskutimi për territorin dhe kufijtë, si dhe ruajtja e kushtetutshmërisë. Këto janë tri, parime në të cilat ne si aleancë përkrahim delegacionin e Kosovës në takimin në Uashington. Këto parime I ka deklaruar edhe kryeministri Hoti dhe mendoj se na japin siguri me ec përpara së bashku”, tha Haradinaj.
Ai tha se AAK mbështet delegacionin e Kosovës për takimin e 27 qershorit në Uashington, derisa shtoi se mban shpresë do të zhbllokohet ‘nyja’ e dy dekadave e mos njohjes reciproke Kosovë-Serbi.
“Një garanci e madhe po ashtu është për ne, është fakti se këtij dialogu i prinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbajmë shpresë që do të zhbllokohet nyja e dy dekadave e mos njohjes reciproke Kosovë-Serbi. Presim që të kemi në takimin e radhës suksesin e parë për njohje reciproke Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues që do të hapte edhe perspektivën e Euro-atlantike për Kosovën. Me një fjalë Aleanca mbështet delegacionin e Kosovës për takimin në Uashington”, tha ai.
Sa i përket përfshirjes së AAK-së në dialog, Haradinaj tha se pret që edhe zyrtarë nga partia e tij të jenë të përfshira në këtë proces.
Derisa është pyetur nga media se kush mund të udhëheqë dialogun nga spektri politik i Kosovës, Haradinaj pati një përgjigje të shkurtër.
“Delegacioni është i institucioneve të vendit dhe përfaqësimi do të jetë në bazë të një përcaktimi të përgjegjësive dhe me siguri se do të jenë të përfshirë edhe kolegë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pra ata që janë pjesë e kabinetit Qeveritar… Po më duket ambasadori Grenell”, tha Haradinaj.
Lideri i AAK-së po ashtu ka uruar shqiptarët e Luginës së Preshevës për zgjedhjen e deputetëve, ku sipas rezultateve preliminare zyrtare deri më tash kanë siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë./KosovaPress/
Top Channel