“Art në kafaz”/ Ekspozitë në kushtet e pandemisë në Durrës

21/06/2020 12:28

Mbrëmjen e së shtunës u çel në galerinë e arteve pamore të Durrësit ekspozita “Art në Kafaz”.

Një ekspozitë ndryshe, e diktuar nga pandemia dhe pas daljes nga kafazi i izolimit, por që u mirëprit nga dashamirësit e artit. Nën idenë dhe kurimin e Anna Ninës, dhjetë artistë durrsakë u bënë bashkë për të ndarë me publikun përjetimet e tyre gjatë izolimit të formësuara në art dhe për të përcjellë përmes larmisë së ngjyrave dhe tematikës vazhdimësinë e jetës.

Në muajt e karantinës më erdhi ideja të organizoja diccka, një rikthim të jeës në ngjyra dhe art duke kontaktuar artistët durrsakë. Arti është një tjetër pasion i imi, jo vetëm deti.”, tha Anna Nina, Kuratore.

Ana tregon se fuqia e imagjinatës dhe artit nuk e ndali jetën dhe në kushte të pazakonta.

“Për mua karantina ishte një periudhë shumë interesante. Lundrova sërish, pikturova. Në det zakonisht lexoj, po këtu dhe pikturova. Kam dhe dy punime të miat në ekspozitë dhe jam e lumtur që artistët e pranuan menjëherë idenë time.”, tregon ajo.

Në këtë ekspozitë vijnë me punimet e tyre të realizuara gjatë kohës së karantinës piktorët Elio Bajramaj, Asel Kryemadhi, Bajram Sallaku, Erisa Bekteshi, Marjana Goxhabelliu, David Kryemadhi, Klajdi Gjymenga, Anna Nina dhe skulptorët Erisa Bekteshi dhe Ivo Moja.

Moja vjen në këtë ekspozitë me një instalacion që sjell artistikisht në vëmendje përmes evokimit të historisë pasojat e tërmetit në shpirtrat njerëzore dhe godinat e Durrësit. Realizuar me materiale të ndryshme, ky instalacion, ku dallohen tre elemente simbol të lashtësisë së kombit: kolona, kapiteli dhe mburoja ilire, vjen si dëshmi e historisë që përsëritet, po nuk të mposht.

“Kam dashur të shpreh një pjesë të emocionit që ndjemë gjatë periudhës së tërmetit, pasojat që na la brenda shpirtit tonë, vuajtjet, po dhe faktin që historia po përsëritet. Dua qëpër arkeologjinë të bëhet më shumë dhe njerëzit t’a duan më shumë artin. Unë jam punonjës në muzeun arkeologjik dhe do t’ia dhuroj muzeut këtë vepër.”, thotë ai.

“Art në kafaz” nuk është vetëm një ekspozitë për të mos u humbur, po dhe një ftesë për t’iu kthyer normalitetit dhe dashurisë për të bukurën.

Top Channel