Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar shqiptarët në Luginë të Preshevës, që të dalin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të votojnë për listën e përbashkët të shqiptarëve.
Sipas Thaçit, shqiptarët në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – vetëm të bashkuar, mund të mbrojnë të drejtat e tyre.
Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, pesë parti shqiptare nga Lugina e Preshevës, do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.
Partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, arritën marrëveshje për të shkuar me një listë zgjedhore në fillim të këtij viti në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.
Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, më herët kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se synojnë të fitojnë tri ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Ndërkaq, qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të votojnë në zgjedhjet e 21 qershorit. Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që më 21 qershor, do të bëjë grumbullimin e votave për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Top Channel