Programi “Dua të të bëj të lumtur” disa ditë më parë i çoi ftesën për të ardhur në studio Isli Islamit teksa ishte në transmetim live në emisionin “Wake Up” nëpërmjet postierit Oni Pustina.
Mbrëmjen e sotme kishte ardhur mamaja e Islit, zonja Sadie e cila për herë të parë shfaqej në ekran duke rrëfyer historinë dhe vështirësitë që kishte kaluar në jetën e saj dhe se sa mbështetje dhe përkrahje i kishte dhënë Isli gjithë kohës.
Zonja Sadie gjatë bisedës që u zhvillua në program na tregoi një anë tjetër të Islit që shumë pak njerëz e dinin. Isli kishte qenë një student i shkëlqyer dhe se kishte ndjekur studimet e larta në një shkollë private. Fatkeqësisht familja e moderatorit nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shkollimin e tij. Për këtë arsye Isli kishte punuar si kamarier duke paguar detyrimet vjetore derisa një ditë kishte fituar në një nga audicionet e shumta të televizionit “Top Channel”.
Mamaja e Islit rrëfeu se ajo dhe familja e saj kishin kaluar një periudhë tepër të vështirë në jetën e tyre. Zonja Sadie kishte vendosur që të divorcohej dhe gjatë kësaj kohe kishte qenë Isli i cili e kishte mbështetur shumë duke i dhënë kurajo dhe forcë që të përballonin çdo pengesë. Prandaj për këtë arsye, zonja Sadie kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar Islin, por edhe për t’i bërë një surprizë që të mos ta harronte kurrë.
Moderatori i “Wake Up” u emocionua shumë kur zbuloi se në anën tjetër të ekranit ishte mamaja e tij. Isli i përlotur rrëfeu se duhet ta bënte ai këtë surprizë dhe jo zonja Sadie. “Po unë të lashë në shtëpi ty! Në fakt duhet unë të të falenderoj ty dhe jo ti mua sepse unë nuk kam bërë asgjë. Jam këtu falë teje! Mendoj se jeta na është dhënë nga Zoti jo për të vuajtur por për të pasur momente vetëm të gëzueshme, sepse në fakt për këtë jetojmë.”
Programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte menduar disa surpriza për Islin duke i sjellë në studio kolegen e tij, Ori Nebiaj e cila u shpreh: “Kam qarë me dënesë ndërkohë që prisja të futesha në studio. Është hera e parë që Isli më bën të qaj, por tashmë e kuptoni pse është miku im më i ngushtë dhe pse e dua kaq shumë.”
Surpriza e rradhës për Islin ishte një video-mesazh nga vëllai dhe motra e tij të cilët jetojnë në Amerikë. Isli u shpreh se kishte kohë që nuk i kishte takuar ata dhe që po priste me padurim që t’i takonte pasi të kalojë gjendja e emergjencës në të cilën ndodhemi.
Surpriza e fundit për moderatorin ishte këngëtarja tepër e dashur për publikun, Eranda Libohova e cila sëbashku me Islin kënduan live disa nga këngët më të pëlqyera të tij.
Top Channel