Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Washington është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në intervistë presidenti i Kosovës u shpreh se nuk ka adresë më të besueshme për Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi që të bisedohet për prekje kufijsh.
“Është takim i një rëndësie të veçantë, po themi historike, sepse për herë të parë të dy vendet tona takohen, apo kanë pranuar që të takohen në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të thotë se është një interesim i politikës më të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vetë presidenti Trump, dhe tani kemi një angazhim shumë aktiv, dinamik dhe shumë energjik.
Por me të vërtetë me vizion të ambasadorit Grenell. Pres që të kemi një vullnet të dyanshëm, të punojmë seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për të mirën e dy vendeve, popujve tanë”, u shpreh ai. I pyetur se cila janë vijat e kuqe të Kosovës në këtë takim, Thaçi theksoi se “ ne fillimisht duhet të orientohemi tek ajo që synojmë të arrijmë që është respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, respektimi i gjithë asaj ç’ka ne kemi arritur, pra lirisë, pavarësisë, sovranitetit duke respektuar parimet dhe standardet ndërkombëtare por edhe të fqinjësisë së mire”.
Synimi parësor i yni është që të kemi në fund të procesit njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në gjithë organizatat ndërkombëtare, shtoi ai. Sa për çështjen e kufijve, Thaçi tha se në fazën përfundimtare do të respektohet Kushtetuta e Kosovës, integriteti territorial i saj. “I ftoj të gjithë që të mos krijojnë panik, konfuzion dhe të mos prezantojnë lajme të rreme”, u shpreh ai
Top Channel