Shkarkohet gjyqtarja e Tahirit/ Trupa mbetet e paplotë një javë para shpalljes së vendimit për ish-ministrin e Brendshëm

17/06/2020 19:44

Një javë para vendimit për Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën, trupa gjyqësore mbetet e paplotë dhe vetëm me dy anëtare, pasi njëra prej tyre Nure Dreni u shkarkua nga vettingu.

Por ky vendim nuk i është komunikuar ende gjykatës së Posaçme të Apelit, që duhet të hedhë shortin e të plotësojë vakancën.

Por duket se kush gjykoi apo hetoi këtë çështje i ndjek një ogur jo i mirë. Në karrigen ku unë jam ulur, qëndronte Ardit Mustafa që relatoi dhe shpalli fajtor Tahirin për shpërdorim detyre. Ai u shkarkua. Në të djathtë ishte ulur Irena Gjoka, ajo u konfirmua nga shkalla e parë por çështja e saj u apelua në shkallën e dytë. Në të majtë ishte ulur Flora Hajredini, e cila është ende në pritje të tik-takut të vettingut, ndërsa ka marrë një raport mjekësor për të shqyrtuar pyetjet e vështira të vettingut.

Më herët orteku i vettingut mori me vete edhe Gentian Osmanin, i cili bëri pjesë në hetimet paraprake të kësaj çështje. Ndërsa Besim Hajdarmataj edhe pse u konfirmua nga shkalla e parë, gjendet nën ankth pasi edhe çështja e tij është apeluar.

Prokurorët që patën fat dhe u shpëtuan sitave të trefishta të vettingut ishin Dritan Premçi dhe Vladimir Mara që më pas u emëruan si prokurorë të Posaçëm të SPAK dhe që aktualisht përfaqësojnë akuzën edhe në shkallën e dytë dhe madje në seancën e mëparshme kërkuan shpalljen fajtor të Saimir Tahirit, jo për shpërdorim detyre por për akuza më të rënda që kanë lidhje me çështje të trafikut të drogës dhe të grupit kriminal.

Sapo gjykata e Posaçme e Apelit të vendoset në dijeni zyrtarisht nga KPK për shkarkimin e Nure Drenit do të thërritet menjëherë hedhja e shortit, por ajo që dihet është se dy nga gjyqtarët janë konsumuar gjatë hetimeve paraprake dhe ata janë gjyqtarët Saida Dollani dhe Sokol Binaj. I vetmi sipas burimeve jo zyrtare që nuk është konsumuar për këtë proces është gjyqtari Dhimitër Lara, i cili e ka kaluar procesin e vettingut dhe nëse ai nuk ka probleme të tjera pritet që kjo trupë gjyqësore të plotësohet me 3 gjyqtarë që kanë fitimtarë nga ky proces.

Në rast se trupa gjyqësore nuk plotësohet për shkaqe të ndryshme nga Dhimitër Lara, pritet që Gjyakata e Posaçme e Apelit t’i përcjellë një kërkesë KLGJ-së për të gjetur një gjyqtar borxh që do t’i bashkëngjitet dy gjyqtarëve që kanë kaluar me herët me sukses vetingun më herët, të cilët janë Nertina Kosova dhe Albana Boksi.

Në çdo rast duhet që ky gjyqtar ta ketë kaluar me doemos vetingun.

Anila Hoxha

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA