Përmendorja e Linçimit në Minesota, pikë organizimi për protesta pas vdekjes së George Floyd

16/06/2020 03:44

Në mëngjesin e 15 qershorit të vitit 1920, një 18-vjeçar në Duluth të Minesotës raportoi se një grup afrikano-amerikanësh, punonjës cirku e kishin ndalur me armë zjarri dhe kishin përdhunuar një vajzë të re që ishte me të. Atë natë, një grup banorësh të qytetit shpërthyen dyert e stacionit policer dhe nxorën tre nga gjashtë personat që kishte ndaluar policia bazuar n këtë raportim. Isaac McGhie, Elmer Jackson, dhe Elias Clayton u tërhoqën zvarrë në rrugë, u rrahën dhe u varën nga turma në një shtyllë të dritave të rrugës.

“U varën në këtë qoshe; i linçuan (i ekzekutuan pa gjyq) para një turme prej 10 mijë vetësh, sikur të ishte shfaqje zbavitëse,” tregon Stephan Witherspoon, president i degës së organizatës afrikano-amerikane NAACP në Duluth. Një fotografi e turmës që kreu ekzekutimin pa gjyq, ku shihen burra të bardhë duke qeshur sikur të ishin pranë trupit të një kafshe që kishin vrarë gjatë gjahut, u shit në dyqanet lokale si kartolinë deri kur autoritetet e ndaluan shitjen.

Tetë vetë u nxorën në gjyq për linçimin; vetëm tre u shpallën fajtorë, por jo për linçim por për akuzën më të lehtë të trazira publike. Asnjë prej tyre nuk vuajti më shumë se 15 muaj burgim. Askush nuk është dënuar për vrasjen e Clayton, Jackson dhe McGhie. Max Mason, një afrikano-amerikan që punonte për të njëjtin cirk si viktimat e 100 vjetëve më parë, u shpall fajtor për përdhunim. Ai vuajti më pak se pesë vjet burgim para se të siguronte lirim me kusht. Javën e kaluar Mason u bë i pari person që siguron falje pas vdekjes në shtetin Minesota. Në një letër në mbështetje të faljes, prokurori i distriktit ku ndodhet qyteza Duluth shkruante “Dokumentacioni tregon qartë se zoti Mason u hetua, u akuzua dhe u shpall fajtor thjesht për arsye të racës dhe jo sepse kishte prova të forta e të mjaftueshme”.

‘Linçime të Ditëve Moderne’
Duluth ndodhet 250 kilometra në veri të Mineapolisit, ku vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit më 25 maj shkaktoi protesta, thirrje për reforma policore dhe presion për të trajtuar problemet racore që kanë rënduar mbi komunitetin afrikano-amerikan prej 400 vjetësh që kur skllevërit e parë u sollën në Amerikë. Përmendorja Clayton Jackson McGhie Memorial, e ngritur përballë vendit ku u ekzekutuan tre afrikano-amerikanët një shekull më parë, u bë pikë grumbullimi e protestuesve pas vdekjes së George Floyd.

Një javë para përvjetorit, pjesëtarë të komunitetit pikturuan një afresko në nderim të George Floyd dhe Breonna Taylor, një afrikano-amerikane që u vra në mars kur policia i hyri në mes të natës në shtëpi për të kontrolluar për drogë. Pranë afreskos ishin ndezur qirinj me emrat e afrikano-amerikanëve që vdiqën në duart e policisë, ose u vranë nga civilë thjesht nën dyshime për akte të paligjshme. Zoti Witherspoon tha se vdekja e George Floyd tregon se në Minesota dhe në pjesën tjetër të vendit, problemet racore kërkojnë zgjidhje.

“Po ndodhin të njëjtat gjëra, por në forma më moderne. George Floyd vdiq nga një linçim i formës moderne. Në mënyrë që t’i zgjidhim këto problem duhet të ulemi në tryezë dhe t’i diskutojmë këto gjëra, sado të pakëndshme. Nëse nuk i diskutojmë, nuk do të zgjidhen. Nëse këto gjëra vazhdojnë, nuk do t’i tolerojmë më,” thotë ai. Vdekja e zotit Floyd dhe protestat që shpërthyen frymëzuan June Klaphake dhe të bijën të shkojnë në Duluth nga Mineapolis për të vizituar përmendoren Clayton Jackson McGhie. “Na bëri të kërkojmë më shumë informim; jemi të bardha, jetojmë një jetë privilegji,” thotë zonja Klaphake said. “Ka ardhur koha që të kuptojmë më mirë historinë dhe të angazhohemi”.

Gjatë rrugës ata dëgjuan në radio komentet gjatë ceremonisë mortore për George Floyd dhe diskutuan mes tyre. “Na ndihmoi të bëjmë një bisedë shumë me vlerë për ato që po ndodhin. Donim të nderonim ngjarjet që po shpalosen dhe të informohemi mbi situatën,” thoto zonja Klaphake.
Zoti Witherspoon shton se ka rëndësi që popullata e bardhë të ngrejë zërin kundër racizmit, edhe nëse kjo s’është e lehtë. Ai shpreson se përmendorja Clayton Jackson McGhie do të vazhdojë të shërbejë për t’u kujtuar brezave historinë dhe nuk do të shërbejë më në të ardhmen si pikë për t’u grumbulluar për protesta. “Vazhdoj të ruaj shpresa, por do të bëhem më optimist nëse aleatët tanë tregohen të gatshëm të ngrihen dhe të luftojnë racizmin. Ta luftojnë nëse e shohin ndër të afërm, ndër miqtë e tyre, në rrugë. Kërkojmë që t’ua bëjnë të qartë të tjerëve se sjellje të tilla nuk janë të pranueshme askund, nga askush. Duam angazhim nga aleatët tanë të bardhë,” thotë zoti Witherspoon./VOA

Top Channel