Kryebashkiaku Veliaj fiton gjyqin, Jorida Tabaku: Vendimi u mor pas presionit politik që i bëhet …

16/06/2020 15:10

Kryebashkiaku Erion Veliaj fiton gjyqin me ish-deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabakun.

Një reagim vjen nga ish deputetja, ku me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan se vendimi është marrë pas presionit politik që i bëhet gjyqtarëve që presin të kalojnë vettingun.

“Ditën e sotme gjykata e shkallës së parë nën presionin e një vettingu që po bëhet gjithnjë e më partiak, siç edhe Komisioni i Venecias e vërtetoi, mori një vendim në kundërshti me provat dhe faktet që tanimë janë botërisht të njohura.

Shqiptarët janë dëshmitarë se si plani për Unazën e Re ishte korruptiv që në gjenezë dhe gjithashtu që qeveria në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë kanë ndryshuar planin e kalimit të lumit të Lanës për të favorizuar Edmond Begon. Këto qëndrime i kam mbajtur në konferencë për shtyp duke paraqitur prova bindëse, sakaq shqiptarët kanë mësuar tanimë edhe për lidhjen e ngushtë Bego-Balla.

Por sa më shumë e vërteta thërret në veshët e shqiptarëve aq edhe më e madhe është tërsëllima që qeveria e korruptuar dhe kontrolluar nga Mond Begot imponon në sallat e gjykatave. Kush mendon se do të tërhiqemi nga e vërteta duke menduar se na intimidojnë me seanca të tilla gjyqësore gabohet. I qendroj plotësisht asaj që kam deklaruar pasi prova të pakundërshtueshme janë themeli i akuzave të ngritura në dy konferencat për shtyp.

Sot banorët janë flakur nga shtëpitë e tyre dhe i është hapur rrugë ndertimëve me parà të krimit e të drogës si kudo më Tiranë.

Koha do të tregojë se sa të vërteta kanë qenë vendimet e një gjykate që më së paku iu shmang përgjegjësisë për të gjykuar mbi provat dhe jo sipas pushtetit. Ajo që më gëzon është se ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe ditë edhe më të errëta do të jenë për ato që mendojnë se mund ta blejnë të shkuarën dhe të ardhmen me pasuri apo miqësi.

Asnjë hap pas për të denoncuar e treguar te vërtetën. Shqiptarët meritojnë te dinë se kush i qeveris dhe se kush janë miqtë e qeveritarëve me më shumë se një emër”,- thotë ajo.

Top Channel