Bajerni i Mynihut u rikonfirmua në fronin e futbollit gjerman dhe e bëri këtë dy ndeshje nga fundi, me një sukses minimal në fushën e Verder Bremen që i jep Maistershalen ekipit të Hansi Flik.
Skuadra bavareze e çoi në 10 pikë diferencën në renditje, praktikisht e pakapshme për Borusian e Dortmundit në javët e mbetura të Bundesligës. Festa e mohuar në fushë dhe në shkallët e impiantit për shkak të pandemisë, është e destinuar të kamuflohet në celebrime sporadike.
Me 3 ndeshje për tu zhvilluar dhe 7 pikë avantazh ndaj ndjekësve, Bajerni i Mynihut e dinte misionin në transfertën e kësaj jave, dhe nuk zhgënjeu edhe pse përballë kishte Verderin në kërkim të pikëve për shpëtim. Rrjeta që vendosi ndeshjen dhe titullin erdhi nga Robert Levandovski pas një asisti nga Boateng, por ankthi zgjati pak çaste në stadium, pasi arbitri u desh ta konfirmonte përmes pamjeve filmike, se nuk ekzistonte Off Side. Rrjeta mbeti në fuqi deri në fund dhe Bajern zyrtarizoi titullin e tetë radhazi dhe të tridhjetin në historinë e tij.
Ndërkohë Levandovski vendosi titullin dhe shtoi pikë të vyera në garën për Këpucën e Artë, e pse jo edhe për Topin e Artë, falë avancimit në Champions. Skuadra e fundit që ka ndërprerë dominimin kombëtar të Bavarezëve ishte armata e Jurgen Klopp në kohën e Borusias së Dortmundit në sezonin 2011-12.
Top Channel