SHBA kërkon lirimin e ish-marinsit të dënuar nga Rusia për spiunazh

15/06/2020 18:27

SHBA ka thënë sot se është “e indinjuar” pasi Rusia ka dënuar një ish-marins amerikan me 16 vjet në një burg të sigurisë së lartë me akuza spiunazh.

Paul Whelan u arrestua në Moskë në 2018 me një USB për të cilën inteligjenca tha se përmbante sekrete shtetërore.

Whelan tha se gjyqi është inskenuar dhe se nuk e kupton se përse nuk kishte përkthyer në sallë.

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm.

“SHBA është e indinjuar nga dënimi i sotëm i qytetarit amerikan Paul Whelan në një gjyq sekret, me prova sekrete dhe pa lejuar dëshmitarë të mbrojtjes”, tha Pompeo.

Ekspertët sugjerojnë se 50 vjeçari Whelan mund të përdoret në një këmbim të burgosurish të profilit të lartë, por zëdhënësi i Kremlinit tha se Whelan nuk është “i burgosur politik”.

“Jo, nuk është e mundur. Ai është dënuar me vendim gjykate dhe vendimi i gjykatës i thotë të gjitha, ai u akuzua dhe akuzat u pranuan nga gjykata,” tha Dmitry Peskov.

Paul Whelan kishte shkruar një parullë për seancën finale gjyqësore të cilën e mbante në xhamin e kafazit të tij, ku denonconte gjyqin si manipulim.

Whelan ngriti zërin për të protestuar pafajësinë e tij, teksa ruhej nga dy agjentë të maskuar të forcave ruse të sigurisë FSB, duke denoncuar se akuzat ishin të fabrikuara dhe qesharake.

FOTO GALERI
1/11
Whelan ngriti zërin për të protestuar pafajësinë e tij, teksa ruhej nga dy agjentë të maskuar të forcave ruse të sigurisë FSB

Top Channel