Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje dorëzoi sot kompjuterë personalë, telefona dhe mobilie për zyra me vlerë 4.000 euro në Departamentin e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Zveçanit.

Projekti u zbatua nga dega e KFOR-it për Bashkëpunim Civil-Ushtarak në kuadër të mbështetjes që u dha në mbarë Kosovën për institucionet, komunitetet dhe qytetarët pa dallim etnie, thuhet në një njoftim për media.

Svetlana Mihajloviq, e cila drejton Departamentin, falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për mbështetjen që do t’ua mundësojë personelit të saj të kryejë detyrat në mënyrë më efikase, në dobi të komuniteteve lokale.

Departamenti i Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale të Zveçan adreson një gamë të gjerë detyrash, si aktivitetet e mirëqenies sociale, lehtësimi i qasjes në kujdesin parësor shëndetësor, vlerësimi i nevojave për ndihmë sociale.

Ata gjithashtu monitorojnë situatën sociale me fokus të veçantë te gratë, fëmijët dhe të moshuarit, duke bashkëpunuar me institucionet humanitare dhe profesionale, përfundon njoftimi i Zyrës së informacionit të KFOR-it.

Top Channel