Kreu i PD Lulzim Basha zhvilloi një takim me bizneset në njësinë 1, Tiranë.

“Tatimorët gjobëvënës, rënia drastike e xhiros dhe fuqisë blerëse, marrja e ushqimeve me listë, mungesa e ndihmës nga qeveria, problemet kryesore për biznesin e vogël”, tha kreu i opozitës.

Sipas tij “Prioriteti i kryeministrit edhe në kohën e krizës, ishin oligarkët, jo biznesi”.

Deklarata e Bashës

Ju përshëndes nga qendra e Tiranës, ku kam më shumë se një orë e gjysëm në takime me sipërmarrësit e vegjël, me bizneset e vogla, me qytetarë. në çdo cep të Tiranës ku kam qënë këto ditë dhe këto javë kam hasur një listë të gjatë problemesh, ankesash, hallesh që kanë pllakosur biznesin e vogël, sipërmarrjen e vogël, kanë pllakosur njerëzit, qytetarët në lagjet e Tiranës në qendër të Tiranës.

Shumë prej problemeve të sipërmarrjes janë të njëjta: është prania e pafund e inspektorëve tatimorë, e njerëzve që sillen si banda edhe jo si shtet, ku në këto kohë të vështira mendjen e kanë si e si të gjobisin e të nxjerrin edhe lekun e fundit nga xhepat e lodhur të sipërmarrësve të vegjël shqiptarë.

Problemi tjetër shumë i madh është rënia drastike e xhiros. Imagjinoni në dyqanet e bukës, dyqanet e ushqimoreve, tek dyqanet e mishit ka një rënie ëe tmerrshme të xhiros. Ndërsa të tjerët që e mbajnë dyqanin hapur sa për të thënë, më kanë treguar këto ditë, edhe sot, se e mbyllin gjithë ditën pa asnjë klient, mbyllin gjithë javën me 30-40-50 mijë lekë të vjetra xhiro, xhiro tërësisht e pamjaftueshme për të larë qeratë, jo më për të mbajtur familjen apo për të mbajtur fëmijët me bukë.

Kjo është gjendja e sipërmarrjes së vogël shqiptare që është 70 % e sipërmarrjes së ekonomisë në tërësi. 7 në 10 njësi të ekonomisë shqiptare përbëhën nga sipërmarrja e vogël. Dhe në ato raste ku kanë marrë atë ndihmë simbolike dhe totalisht të pamjaftueshme, totalisht të pakrahasueshme me dëmin që u ka shkaktuar mbyllja e biznesit gjatë periudhës së karantinës, ato para siç i kanë marrë i kanë çuar drejtëpërdrejt për të paguar qeratë, për të paguar faturat e energjisë që edhe kur i kanë pasur qepenat e mbyllur, u kanë ardhur me faturë afrofe.

Problem tjetër i madh dhe problem kryesor është rënia totale e fuqisë blerëse. Në këto ushqimore dhe ushqimore të tjera kam parë lista të cilat janë dyfishuar gjatë këtyre 2 muajve të fundit, lista të cilat kanë qënë të mëdha edhe më përpara, por që tashmë po kthehen në problemin kryesor.

Siç e kemi paralajmëruar, mungesa e ndihmës për njerëzit mungesa e ndihmës për konsumatorët, për familjarët shqiptarë u përkthye drejtpërdrejt në një problem që u transmetua në gjithë zinxhirët e ekonomisë. Kur nuk kanë para njerëzit për të blerë ushqimet për të blerë bukën e gojës, kjo reflektohet, natyrisht edhe te sipërmarrja e vogël, reflektohet tek gjithë zinxhiri i furnizimit, reflektohet pastaj dhe tek ata sektorë të prodhimit që punësojnë një pjesë.

Me këtë sjellje kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë provuar katërcipërisht se prioritet edhe në kohën e tmershme të krizës nuk kanë patur shqiptarët, nuk kanë patur sipërmarrja, nuk kanë patur njerëzit, por kanë pasur oligarkët. Shikoni pagesat nga thesari, pothuajse po aq para sa ç’kanë dhënë për shqiptarët, për ekonominë, për konsumin që është një fraksion i asaj që ka paguar Kosova apo Maqedonia e Veriut, po kaq para i kanë dhënë dhe një grupi oligarkësh gjatë këtyre muajve të pandemisë.

Kjo është skandaloze.
Kjo është kriminale.

Është burimi i krizës së thellë kriminale që ne e paralajmëruam edhe para disa muajsh. kur i kërkuam qeverisë që të ndërpriste çdo pagesë dhe çdo tender korruptiv e të ndërpriste çdo aferë si ajo e inceneratorëve, e cila edhe javën e kaluar i kushtoi taksapaguesve shqiptarë miliona, qindra miliona, ndërkohë që me 15 Qershor që jemi sot, një pjesë e madhe e atyre që, sipas vendimeve të qeverisë e meritonin mbështetjen, nuk arritën dot të merrnin asgjë.

E pra, gjendja po vjen e po përkeqësohet dhe e vetmja përgjigje që ka kjo qeveri dhe ky kryeministër është më shumë propagandë, më shumë gënjeshtra, më shumë mashtrime.

Shikoni si e shpenzon kohën duke gjurmuar si një hajdut i vogël, si një spiun i vogël dhe duke u rënë nga mbrapa bizneseve për t’i intimiduar, për t’i frikësuar sepse thonë të vërtetën. Këto nuk janë sjelljet e një kryeministri të përgjegjshëm, këto nuk janë sjelljet e një burri shteti, por këto janë sjellje të një regjimi në ikje, të një njeriu të obsesuar pas pushtetit dhe pasurisë të tij personale, të një shërbëtori të mjerë të 5 oligarkëve, me të cilët punon dhe për të cilët ka vënë të punojë gjithë Shqipërinë.

Epo kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu dhe nuk do të vazhdojë më kështu! Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga ky ankth, nga ky makth i gjatë. Shqipëria nuk do të jetë më vetëm e 5 oligarkëve. Shqipëria është dhe do të jetë e shqiptarëve dhe kjo do të thotë që buxheti dhe taksat, në radhë të parë, duhet të shkojnë tek shqiptarët, duhet të shkojnë te njerëzit që janë në nevojë, duhet të shkojnë tek ata që janë këputur në mes nga kriza dhe nuk kanë para për të blerë bukën e gojës, pra tek rritja, stimulimi e nxitja e konsumit, siç e kanë bërë vendet fqinje, siç e ka bërë Kosova, siç e ka bërë Maqedonia e Veriut, nuk po shkoj më tutje. Do të shkojnë për të mbështetur biznesin e vogël jo thjesht dhe vetëm me një mbështetje të fuqishme, me një paketë fiskale si ajo që kemi propozuar me 0.5% të xhiros vjetore, e vetmja taksë, asnjë taksë tjetër lokale e qëndrore, po, mbi të gjitha, duke i çliruar nga nga makthi i tatimorëve, duke i futur tatimorët në garnizon përmes një moratoriumi në vitin e parë të qeverisjes e pas kësaj, asnjë kontakt fizik midis inspektorëve të shtetit dhe biznesit të vogël apo biznesit në tërësi.

Do të shkojë pra me një frymë të hapjes të konkurencë,s pozitivitetit që do të ndihmojë ekonominë tonë të dalë nga kjo gjendje makthi, do të ndihmojmë rritjen e konsumit, do të ndihmojmë mbi të gjitha rritjen e punësimit, pa të cilin ekonomia nuk ka dhe nuk mund të ketë të ardhme.

Për këtë na duhet një qeveri që mendon për njerëzit, na duhet një qeveri që buxhetin e shtetit, buxhetin taksat e qytetarëve shqiptarëi çon tek shqipëtarët, nuk i çon tek 5 oligarkë. Na duhet një qeveri e çliruar nga pengmarrja për interesat e errëta korruptive të oligarkëve dhe kriminelëve. Kjo është qeveria që meritojnë shqiptarët e, bashkë me këtë, meritojnëmbështetje, jo lëmoshë.

Qeveria detyrohet te marrë masa si ato gjatë Covid-it dhe shkakton dëm ekonomik, është detyrë e qeverisë t’i dëmshpërblejë, nuk mund t’i trajtojë si lëmoshë, as si bamirësi, nuk i ka dëmshpërblyer, i ka lënë në mes të rrugës, i ka braktisur dhe pasojat sot po ndjen çdokush.

Të gjithë jetojmë me pasigurinë sesi do jetë e nesërmja, të gjithë kërkojmë një ndryshim të shpejtë dhe të thellë dhe dua t’ju them sot nga qendra e Tiranës se unë jam po kaq i shqetësuar dhe i brengosur nga situata, por jam po kështu optimist seme një bashkim të madh e të fuqishëm, me një program i cili do të ndihmojë njerëzit, do tëndihmojë konsumatorin shqiptar, do tënxisë punësimin, do ndihmojë biznesin e vogël, biznesin prodhues, ekonomia shqiptare do të dalë nga kriza.

Por, së pari na duhet që, të gjithë së bashku, të sjellim ndryshimin, të kemi një qeveri nga njerëzit të njerëzit dhe për njerëzit dhe t’i japim fund marrjes peng të qeverisjes nga një grusht oligarkësh dhe kryeministri aktual.

Ju përshendes dhe njëherë këtu nga qendra e Tiranës dhe ju uroj një ditë dhe një javë sa më të mbarë.

Top Channel