​Bëri një vrimë për të hyrë në stadium, La Liga ngre padi kundër tifozit

14/06/2020 19:01

Udhëheqja e La Ligës ka njoftuar paraqitjen e kallëzimeve penale kundër një tifozi i cili u fut në fushë gjatë ndeshjes mes Real Mallorca dhe Barcelona, e cila u luajt pa spektatorë në stadiumin ‘Iberostar’.

Një i ri me origjinë franceze, i cili jeton në Palma de Mallorca, vrapoi dje në fushë në minutën e 53-të të ndeshjes në fanellën e Kombëtares së Argjentinës për të bërë një foto me Lionel Messi. Rojet e sigurimit arritën ta ndalojnë dhe ta largojnë nga fusha.

I riu shkeli masat e rrepta të sigurisë që u futën për të shtypur përhapjen e koronavirusit, transmeton KosovaPress.

“La Liga dënon këtë lloj sjelljeje që rrezikon shëndetin e të tjerëve dhe integritetin e konkurrencës,” njoftoi La Liga.

Një tifoz pranoi në një prononcim për radion Cadena Cope se ai bëri një vrimë në gardh për të depërtuar drejt stadiumit.

“Messi është idhulli im. Doja ta takoja atë dhe të fotografoja. Unë e planifikova këtë që nga momenti kur e dija se loja do të luhej”, tha ai.

Real Mallorca tha se ata po hetonin se si tifozi hyri në stadium.

Barcelona e kryesuar nga Lionel Messi dhe Antoine Griezmann mposhtën Mallorca 4-0.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA