A ka pasur keqmenaxhim të mundshëm të krizës së Coronës në Itali? Kjo është pyetja përgjigjet e të cilës po kërkojnë prokurorët e Bergamos tani dhe për t’i gjetur ato morën në pyetje një ditë më parë, për plot tre orë, kryeministrin e vendit, Giuseppe Conte.
Marrja në pyetje u zhvillua në rezidencën e tij zyrtare në Palazzo Chigi ndërkohë që pas tij, do të merren në pyetje edhe ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza dhe ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese.
Në qendër të hetimeve është sidomos çështja se pse komunat Alzano Lombardo dhe Nembro në provincën e Bergamos nuk u shpallën më herët zona nën karantinë. Kjo zonë u shndërrua në qendër të pandemisë në muajin mars.
Por për Conten, nuk ka patur asnjë vonesë në reagimin e qeverisë dhe aq më pak nënvlerësim të situatës. Kryeministri i ka siguruar po ashtu prokurorët se guvernatori i Lombardisë është informuar për çdo hap dhe se rajoni kishte fuqinë të shpallte vetë zonat e kuqe. Disa ditë pas zbulimit të rastit të parë të koronavirusit, Roma bllokoi dhjetë bashki në Lombardi, përfshirë Codogno dhe Vo ‘në Veneto. Kjo u pasua menjëherë me vendimin për bllokimin e të gjithë Italisë, që hyri në fuqi më 10 mars dhe u lirua gradualisht në maj. Kryeministri Konte thotë se beson se mënyra e tij e veprimit ishte e saktë. “Sepse unë i kam bazuar veprimet e mia në shkencë dhe ndërgjegje, sepse menjëherë u përfshiva, jam absolutisht i qetë”, tha ai për gazetën “Corriere della Sera”.
Deri tani në Itali janë zbuluar më shumë se 236.300 infeksione me Coron. Sipas informacioneve zyrtare më shumë se 34.200 vetë vdiqën nga infeksioni SARS-CoV-2. Ndërkohë autoritetet në shumë rajone pothuajse nuk po regjistrojnë më asnjë infeksion të ri.
Top Channel