Tërmet në bursa! SHBA, rënia më e thellë që nga marsi

12/06/2020 12:09

E enjtja ishte një ditë e keqe në Wall Street, ndërsa frika për një valë të dytë të mundshme të koronavirusit, e uli konsiderueshëm vlerën e aksioneve.

Tre treguesit kryesorë, patën rënien më të thellë në tre muajt e fundit. Dow Jones Industrial Average humbi 1,862 pikë, një rënie prej 7% . Nasdaq ra 5% dhe S&P 500 humbi 188 pikë ose 6%, duke u zhytur në vlera negative. Aksionet e kompanive të udhëtimit dhe firma të mëdha si dyqanet Kohl’s dhe Gap, ishin ndër më të goditurat. Analistët thonë se investitorët mund ta kenë rritur artificialisht tregun javët e fundit me shpresën për të një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike pas COVID-it.

Një rritje e rasteve të koronavirusit, ndërsa shumë shtete dhe qytete rifillojnë të hapen, i frikësoi ata, sipas VOA. Por Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin i tha kanalit CNBC se ekonomia amerikane do të vazhdojë në rrugën e rihapjes së plotë.

“Nuk mund ta mbyllim përsëri ekonominë. Mendoj se e mësuam se nëse mbyllim ekonominë, do të shkaktojmë më shumë dëm dhe jo thjesht ekonomik, por edhe në drejtime të tjera”, u shpreh ai.

Presidenti Donald Trump shkruante të enjten në Twitter se beson që tremujori i tretë i vitit do të jetë “shumë i mirë” dhe tremujori i katërt “i mrekullueshëm”, kur siç tha ai, ai beson se vaksina e COVID-it do të jetë gati. Bursat kryesore evropiane, në Londër, Frankfurt dhe Paris ranë të gjitha 4% ose më shumë të enjten, ndërsa pothuajse çdo indeks aziatik, humbi 1% ose më shumë.

Top Channel