Supozohej të ishte një dalje festive në det, e pesë sërfistëve të sprovuar që stërviteshin para hapjes së sezonit veror. Por një muaj më parë në Hagë të rinjtë atletikë e me eksperiencë, humbën jetën në kushte të tmerrshme deti, në kthimin e tyre të parë në ujë që prej bllokadës së koronavirusit.
Joost, Sander, Pim, Max e Mathijs ranë viktima të një muri të lartë shkume detare dhe detit të trazuar. Trupat e tyre mund të rekuperoheshin vetëm 24 orë më vonë.
Të pestë ata ishin sërfistë me eksperiencë dhe jepnin kurse në shkollën e tyre.
Grupi e kishte diskutuar dhe shkumën që krijohej dhe kishin menduar të shkonin në një tjetër pikë, i ka thënë miqve një prej sërfistëve që mbijetoi.
Por era dhe rryma e ujit ndryshoi me shpejtësi. Një korrent i fortë e i papritur verior i shoqëruar me një ortek shkume algash, rezultuan kombinimi fatal për pesë prej tyre.
Plazhi i Scheveningen njihet si kryeqyteti i sërfit në Holandë. Është një destinacion i njohur për stuhitë e ardhura në breg që krijojnë dallgë të përshtatshme për sërf.
“Dhimbja në komunitetin e Scheveningen është e paimagjinueshme,” tha Johan Remkes, kryebashkiak në Hagë. “Njerëzit po e kuptojnë se deti të jep dhe deti ta merr prapë, por ishte mizore marrja e jetëve të të rinjve që ishin aq të njohur këtu.”
Ajo çka është më e habitshme është se sërfistët po bënin diçka krejt normale në një zonë që e njihnin si pëllëmbën e dorës së tyre.
Ata u kapën në kushte vrasëse detare kur disa dhjetra metra më larg sërfistë të tjerë vazhdonin të drejtonin valët në perëndimin e diellit.
Shkuma që çoi në vdekjen e tyre vjen nga një algë e quajtur phaeocystis globosa, për të cilën shkencëtarët vendas thonë se lidhet në një masë të vetme nga një mukozë që mbron qelizat dhe rritet shpejt në masë.
Algat kanë nevojë për dritën e diellit dhe lëndë ushqyese si azot e fosfat, dhe fillimi i dielltë i majit në Hollandë kishte bërë lulëzimin e tyre. Shkuma detare në Scheveningen ishte sivjet katër herë më e madhe se mesatarja e 10 viteve të fundit.
Shkencëtarët thonë se rojet bregdetare dhe entuziastët e sporteve duhet të jenë vigjilentë për rreziqet e mundshme nga nivelet e larta të shkumës detare, dhe se në të ardhmen do të punojnë për sisteme parandalimi të aksidenteve të tilla.
Top Channel