Ndarja e tokave truall është një abuzim masiv që ka ndodhur pasi këto hapësira nuk janë subjekt i ligjit 7501. Siç e shikoni edhe në këtë Akt të Marrjes së Tokës në Pronës që kemi siguruar, Komisioni vendor në fshatin Peshtan i Vogël në Berat ka ndarë një sipërfaqe trualli, tejkalim i hapur ky i ligjit.

Top Story, ka siguruar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që bën fjalë për ligjshmërinë e ndarjes së tokave në komunën Lukovë, në bregdetin jonian. Nga verifikimet, rezulton se janë shpërndarë në mënyrë abuzive plot 443 mijë metër katrorë tokë në Borsh.

“Vetë familjet bujqësore por edhe individët, ata që kishin interes kanë kryer veprime jo të rregullta, deri akte kriminale sepse është ndërhyrë në dokumentacionin që ekzistonte deri në vitin 1990”, thotë Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Po ashtu, në fshatin Piqeras janë shpërndarë në kundërshtim me ligjin 603 mijë metër katrorë tokë. Në Lukovë 342 mijë metër dhe në Shënvasil 112 mijë metër katrorë. Tipologjitë e abuzimit janë të ndryshme, si tejkalimi i normës për frymë, shkelja e vijës së verdhë, shpërndarje trualli apo dhënie toke për persona që nuk kanë qenë familje e kooperativave.

Në vitin 2009, zyrat e Kadastrës në Sarandë u bastisën dhe u grabit i gjithë dokumentacioni i tokës së shpërndarë. Sot e kësaj dite, ngjarja ka mbetur e pazbardhur dhe zaptuesit kanë ligjëruar vjedhjen. “Janë futur duart përmes ofrimit dhe premtimit të favoreve, parave e nënpunësve publik”, thotë Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

“Pas 2-3 viteve parë që u nda toka që punohej, ndanë edhe atë që nuk punohej, shumica e procesit u kthye abuziv, skandaloz që vazhdon me mbi 15 vite, mblidheshin ato të komisionit 3 veta në klubin e fshatit dhe thonin çfarë ka mbetur noj gjë? Ajo kodra atje, a mblidhemi e ia japim filanit?”, thotë Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Kadastres.

“Ndarja e tokave vazhdoi deri vonë, deri tani, për mua këtu duhet goditur më shumë, abuzimi i organeve të pushtetit lokal”, thotë Ndriçim Hysa, ish – Deputet i PS. “Nga vetë çështjet gjyqësore del që fleta e regjistrit është zhdukur, ose ka dalë nga hetimi gjyqësor që dokumentacioni dorëzuar komisionit tokës. Në rast kthimit pronave nuk përputhen me dokumentacionin arkivor”, thotë Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Mes dokumenteve që Top Story ka siguruar, gjenden edhe çudira që zyrtarët kanë sjellë me aktet e tyre. Sipas kësaj AMTP-je të 14 Marsit të vitit 1996 me numër 135, një banor i Beratit ka marrë në pronësi një parcelë 6 mijë metër tokë në vendin e quajtur Goricë. E njëjta parcelë, i jepet me AMTP edhe një tjetër banori me dokumentin e 4 Gushtit të vitit 1996. Madje, çuditërisht, të dyja këto AMTP mbajnë të njëjtin numër, pra 135.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA