Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kujtuar përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe shprehet se kjo është një ngjarje lapidare për kombin shqiptar, duke përmendur burrat që bënë të mundur Lidhjen, si Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin dhe Sulejman Vokshin.
Meta thotë se vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia.
Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta:
Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve.
Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia. ??
Top Channel