Gjatë fjalës së tij në konferencën për mediat, ku dha detaje mbi përgjigjen e djeshme sa i takon Eurobondit, kryeministri Edi Rama foli mbi marrëveshjen e Reformës Zgjedhore.
Rama deklaroi se e vetmja kënaqësi që mori nga ajo marrëveshje ishte fakti që u kënaq Luli dhe se me këto ndryshime, synonte që të bënte një reformë si e donte opozita.
“Që të mos kishin më pas llafe”, u shpreh kryeministri.
“E vetmja kënaqësi që kam marrë nga marrëveshja është kënaqësia e Lulit, më shumë se kaq nuk ka asnjë kënaqësi nga ajo marrëveshje, sepse nuk reformon asgjë në sistem, por qëllimi ishte pikërisht ky, që të bashkoheshim të gjithë ne, bashkë me gjithë botën për ta lehtësuar Lulzim Bashën dhe pastaj dhe të tjerët nga frika e tmerrshëm e zgjedhejve dhe për t’i thënë si e do ti që të mos kemi më llafe, po sidoqoftë ne e bëmë këtë në funksion të një mesazhi paqeje dhe ndërveprimi. Shumë njerëz nuk janë dakord me mua, do të donin të vazhdonim në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në këto situata dhe për një nevojë për ta ndryshuar klimën, ne duhet të bëjmë tonën, dhe për të hequr çdo mundësi për t’u gjetur sebepe, ne dhamë dakordësinë.
Është një dakordësi që duhet të kalojë në parlament, nuk duket të jetë fushë me lule, por ne i qëndrojmë marrëveshjes dhe duam që ta votojmë. Pastaj nëse ka hapësira të tjera për t’i respektuar edhe opozitarët në parlament që në këtë rast nuk votojnë një ligj që lidhet drejtpërdrejte me të nesërmen e tyre, do të shikojmë, do të dëgjojmë dhe do të jemi konstruktivë. Besoj që është e mirë që të gjithë ne të kalojmë në një stad tjetër maturimi.
Të mblidhesh në një ambasadë e të rrish tre net atje e të dalësh me marrëveshjen që ishim mirë siç ishim… Por u bë mirë që u bë, e ndjej më të lehtësuar edhe mikun tim, kryetarin e PD-së, pastaj të shohim, nuk kam një përgjigje sot, të shohim si do të ecim në mënyrë që të kalojmë në një mirëkuptim më të gjerë. Se po del që PS-ja ka detyrimin vetëm të shpërndajë karamele, llokume dhe mish nga trupi i vet, nuk mund të jetë kështu. Aman ju lutem kur flisni për deputetët që janë në parlament, mos harroni që janë të Bashës dhe Kryemadhit. Kush i sheh si persona që janë shfaqur aty nga rrugë të tjera e nga materniteti i Taulant Ballës, harron historinë. Ata janë aty të zgjedhur nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Kur flasim për listat e hapura, nëse do të ishin kështu në këtë rast ata deputetë që janë aty sot ishin pjesë e listës dhe do të votohej edhe brenda tyre, Gjuzi apo Ngjala, kjo apo ajo, sidoqoftë ne jemi këtu me përgjegjësi për ta mbyllur këtë proces dhe patjetër në mënyrë të ndershme të drejtë dinjitoze, jo duke u futur nëpër historia kap njërin dhe tjetrin sepse nuk shkon që në rrugë të bësh konsensus dhe në parlament të shkosh me shpatë pa llogaritur që ka edhe të tjerë aty, aq më tepër që votat nuk i kemi por duhet ti bëjmë. Do të luftojmë për të kuptuar dhe mirëkuptuar me të tjerët, sa do ja dalim do ta shikojmë. Por mos e paçi kurrë atë fatin që në këtë rast të jeni në vendin tim””, tha Rama.
Top Channel