Votimi ishte një problematikë më vete. Referuar procesverbaleve të kohës, Top Story ka zbuluar se votimi ka nisur me nenin 1, para se të votohej ligji në Parim. “Pati shumë probleme dhe në miratim, probleme burokratike..kjo nga ana formale ka krijuar handikape që vuhen akoma”, thotë Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Kadastres.

“Grupi jonë i gjithë nuk I bëri për të sjellë këto fatkeqësi, i bëri për të nxjerrë nga errësira, nga mjerimi”, thotë Neritan Ceka, ish – Kryetar Grupi i PD. Palët shkuan të ndara për votimin e nenit 2. Variantet e propozuara ishin 4, por thelbi i ndasive qëndronte pikërisht në dy formula: për tokën në përdorim ose në pronësi.

Socialistët që kishin shumicën dërrmuese në parlamentin me 250 anëtarë votuan formulimin sipas propozimit të kreut të grupit Lutfi Dautllari që thuhej: “Shteti u jep tokën të gjithë personave fizikë dhe juridikë. Këta gëzojnë të gjitha të drejtat mbi tokën të cilat përmbahen në këtë ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës”. Shtimi i togfjalëshit të fundit për ndalimin e shitblerjes, ishte më tepër një frikë se mos tokat pushtoheshin nga fqinjët me të cilët vendi kishte pasur armiqësi gjatë diktaturës. Kjo flitej në korridoret e politikës së kohës por, për këtë asnjë politikan shqiptar nuk është shprehur hapur.

“Kishte shumë element që duheshin zgjidhur para se të kalonte në pronësi, në parim ishim të kalonte në pronësi, por jo direkt, pastaj u vendosën kriteret që ai s’kishte të drejtë ta shiste, ta tjetërsonte në një moment të caktuar”, thotë Ndriçim Hysa, ish – Deputet i PS. Votimi i nenit 2 kaloi me debate të ashpra dhe ndërhyrje. Madje, shumë prej deputetëve, nuk po kuptonin se çfarë formulimi po votonin.

Propozimi i Lutfi Dautllarit mori 106 vota pro. Se kush ishin votuesit pro kjo nuk do të merret vesh kurrë, pasi nuk ekziston në procesverbale. Sali Berisha kërkoi votimin e varianteve të tjera të propozuara, duke e konsideruar atë që u votua si “nen famëkeq”. Neritan Ceka, kryetari i grupit të Partisë Demokratike kërkoi një pushim 15 minutash pas votimit. Ai kërcënoi deri me rrëzimin e qeverisë së Stabilitetit.

“Ka qenë një presion i PD-së, veçanërisht i ministrave tanë që kërcënuan me largim nga qeveria nëse nuk zbatohet opsioni për ndarjen e tokës fshatarëve. Ishte kundër këshillave të ndërkombëtarëve”, thotë Neritan Ceka, ish – Kryetar Grupi i PD. Pushimi duket se sheshoi ndasitë. Më tepër se sa presioni i ndërkombëtarëve, kërcënimi për rrëzimin e qeverisë nuk luajti ndonjë rol të madh te socialistët që kishin shumicën në Kuvend.

“Normal që ka pas prapaskena. U detyruam edhe nga faktori ndërkombëtar që të pranonim këtë kalim ekstrem që bëri PD. Edhe brenda PD-së në atë kohë njerëz që merreshin me bujqësi nuk e pranonin por ishin të detyruar nga ndërhyrja qoftë e kryetarit partisë këshu që u arrit ky kompromis”, thotë Ndriçim Hysa, ish – Deputet i PS

Me rifillimin e seancës, u hodh në votim varianti i propozuar nga demokratët që kërkonin dhënien e tokës në pronësi. Me 158 vota pro, formulimi i ri i nenit 2 rrëzoi atë që u votua më herët. Neritan Ceka, ishte skeptik atë ditë, kur deklaroi se qeveria ka marrë një barrë tepër të rëndë, pavarësisht se edhe ai vetë votoi pro.

“Nuk u diskutuan çështje themelore juridike, çështja p.sh e pronësisë familjare. Me këtë akt nuk shpronësoheshin vetëm pronarët e mëdhenj siç qe iluzioni i reformës”, thotë Neritan Ceka, ish – Kryetar Grupi i PD. “Dhe u bë kujdes në atë ligj për të thënë që toka nuk u kthehet atyre që e kanë pasur në pronësi, kjo të lë të kuptosh se bëhet fjalë për një reformë agrare”, thotë Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Fatos Nano dhe Sali Berisha kërkuan njëzëri votim me ngritjen e kartonëve njëherësh, si simbol i konsensusit. “Ky ishte një ligj me konsensus i detyrueshëm për kushtet në atë kohë, ai erdhi aty pothuajse deputetët nuk bënin asnjë veprim, u arrit konsensusi, votohej, debat ka pasur në kulisa”, thotë Ndriçim Hysa, ish – Deputet i PS

“Këta njerëz që gjykonin në kuvend gjykonin jashtë interesit ekonomik, nuk e dinin ça do bëhej pas 20 vitesh, nuk e dinin që lobet, oligarkia, kështu që gjykimet, arsyetimet që bëheshin në kuvend ishin mbi bazën e orientimeve të qarta politike”, thotë Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Kadastres. Votimi i ligjit, u konsiderua një fitore aso kohe nga lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili iu drejtua fshatarësisë nga foltorja e Kuvendit. Por ky ishte fillimi i një batërdie që do të ndodhte më pas me pronat.

“Gjithë kjo u kthye qoftë nga PD që pati iluzionin se fshatarët që morën tokën do ta votonin, dhe ka ndodhur e kundërta. PD -ja nuk merr vota në fshat”, thotë Neritan Ceka, ish – Kryetar Grupi i PD. “Ka qenë dhe mbetet edhe sot që flasim një kalë beteje në fushatat elektorale të partisë që ka qenë në pushtet”, thotë Myrshit Vorpsi, Shoqata “Pronësi me Drejtësi”

Votimi i neneve të tjera ishte një histori thuajse pa debat më pas. Referuar procesverbaleve, problemet konstatohen gjatë gjithë votimeve. Në shumicën e neneve, nuk dihet se si ka votuar secili deputet dhe numri i votave në total. “Kur unë po shfletoja me një fjalë, edhe disa nga diskutimet që kam pas në atë kohë ishin hequr, ki parasysh kohë tranzicioni…”, thotë Ndriçim Hysa, ish – Deputet i PS

Ligji u votua në tërësi, por sot e kësaj dite askush nuk di të thotë se sa vota ka marrë, një ligj që po zhyste Shqipërinë në një situatë kaotike dhe konfliktuale mes njerëzve. “Edhe atje ku është kthyer në tokën e vetë fshatari ka marrë tokën e motrave e vëllezërve, ka krijuar një konflikt të pazgjidhshëm”, thotë Neritan Ceka, ish – Kryetar Grupi i PD.

“Ka pas dhe një kategori konfliktesh të atyre që pretendonin se përftojnë me 7501 tokë por që komisioni nuk i ka pranuar për shkak se sipas tyre ata nuk banojnë në fshat dhe nuk kanë qenë anëtarë të koperativës bujqësore në momentin që ka përcaktuar ligji 7501”, thotë Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Lartë. “Gabimi themeltar në procesin e hartimit ligjit, kur u vendos të ndahej toka e koperaitvës nuk u dha toka që kishte futur në koperativë, por u vendos ndoshta edhe nën ndikimin e një lloj barazitizmi, që ishte reminishencë e sistemit kaluar u nda në mënyrë barabartë mes gjithë frymëve që kishte operativa”, thotë Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Kadastres.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA