Qipro ka pritur turistët e parë të saj pas rreth tre muajsh izolim nga koronavirusi me avionët e parë që mbërritën në vend nga Izraeli, Greqia dhe Bullgaria.
Qipro po e prezanton veten si një destinacion i sigurt për pushime përballë pandemisë së koronavirusit, me një shkallë të ulët infektimi, nën një dhe një bilanc shumë të ulët viktimash.
Aeroporti i ishullit në Mesdhe, u rihap për pasagjerët për të parën herë që kur fluturimet komerciale u ndalën më 21 mars.
Pas dy muajsh e gjysmë, lidhja e ishullit me 19 shtete të tjera, është rikthyer dhe aeroportet qipriote janë hapur me optimizëm – shkroi në tëitter ministri i transportit i vendit.
Zakonisht në këtë periudhë të vitit, ishulli mbushet me turistë nga Evropa e veriut, që adhurojnë plazhet e tij të mrekullueshme. Qipro madje ka dalë në krye të një klasifikimi të plazheve evropiane, të botuar nga agjencia evropiane e ambientit, të hënën, me 99.1 për qind të plazheve të saj që vlerësohet se kanë një cilësi të shkëlqyer të ujit. Ishulli tashmë është hapur për 19 shtete me rrezik të ulët, por mbeten jashtë turistët nga Britania, Rusia, Suedia, Franca, Belgjika dhe Holanda. Për të tërhequr turistët në ishull qeveria ka premtuar se do të mbulojë kostot mjekësore të çdo vizitori që rezulton pozitiv me koronavirus ndërsa shijon pushimet në vend. Në total, republika e Qipros ka patur 970 raste koronavirusi dhe vetëm 18 viktima.
Top Channel