Hiqet statuja e mbretit belg Leopold në Antwerp pas vandalizimit nga protestuesit anti-racizëm

09/06/2020 16:59

Një statujë e mbretit King Leopold II i Belgjikës është hequr sot në Antwerp pasi u vandalizua nga protestuesit prej sundimit të tij kolonial në Kongo.

Leopold zotëronte si pronë private atë që njihej si ‘Kongo belge’ nga viti 1885 deri në 1908 ku njerëzit kryenin punë të detyruar në shfrytëzimin e rezervave të kauçukut, gomës natyrale të pemëve tropikale, çka ka shkaktuar miliona vdekje dhe shumë e konsiderojnë si genocid.

Statuja e tij në Antwerp ishte kthyer në simbol të racizmit dhe u shënjestrua nga protestat e simpatizantëve të grupit Black Lives Matter, pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd në SHBA.

Zyra e kryebashkiakut tha se statuja u hoq për t’u riparuar dhe do të rivendoset, por nuk pritet të ngrihet përsëri në pjedestalin publik.

Janë disa statuja të mbretit Leopold që janë vandalizuar në të gjithë Belgjikën teksa lëvizja anti-raciste po përfshin të gjithë Evropën.

Leopold është nderuar me disa monumente pasi ka sunduar Belgjikën nga 1865 deri në 1909, mbretërimi më i gjatë në historinë e vendit.

Por shfrytëzimi i territorit të tij në Kongo ishte konsideruar brutal edhe në standardet e vetë asaj kohe, teksa miliona njerëz kanë vdekur gjatë udhëheqjes së tij personale.

Leopoldi fitonte të ardhura personale teksa kongolezët vriteshin ose gjymtoheshin duke punuar në plantacionet e tij. Mes burimeve të tjera të shfrytëzuara ishin fildishi, bakri e diamantët.

Të tjera të dhëna thonë se Leopodi kishte sjellë disa afrikanë në Belgjikë ku i shfaqte në një ‘kopësht zoologjik’ njerëzor.

Top Channel