Në seancën plenare të datës 14 maj 2020 Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ky ligj më pas i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje me shkresën nr. 1308 prot, datë 19.05.2020 të Kuvendit.
Bëhet fjalë për ndryshimet që përjashtojnë nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vite.
Meta arsyeton se ky ligj nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit.
“Është jo e drejtë dhe aspak e mirëpritur që kjo nismë ligjore miratohet ndërkohë kur shumë familje dhe biznese të prekura nga fatkeqësitë natyrore janë ende në pritje që të trajtohen me mbështetje financiare për ndërtimin e banesës së shkatërruar nga tërmeti, apo të një pakete ndihme lehtësuese për shkak të papunësisë nga këto muaj izolimi. Ndërkohë, përkundër kësaj pritshmërie legjitime, qeveria shqiptare reagon në krah komplet të kundërt duke ndërmarrë nisma ligjore për lehtësimin fiskal tëdisa personave që do të importojnë mjete lundruese luksi, siç janë jahtet”, thuhet në argumentimin e Presidentit.
Arsyetimi i Metës
Sipas dokumentacionit parlamentar rezulton se ligji vjen si propozim i Këshillit të Ministrave.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit parlamentar (relacionit shoqërues të projektligjit, Raportit të Komisionit të Ekonomisë, Raportit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese) kjo nismë ligjore ka për qëllim:
– Përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vite.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, nisma është hartuar me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe synon zhvillimin e nënsektorit të turizmit detar, nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës së marinave dhe rritjes së inventarit të mjeteve lundruese turistike, meqë bregdeti shqiptar ka një potencial të lartë të pashfrytëzuar, me një numër të konsiderueshëm gjiresh të virgjëra që shtrihen përgjatë vijës bregdetare për krijimin e porteve turistike/marinave.
Konkretisht, ligji propozon përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vite, të cilat përfshihen në kodin 8903, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.
Gjatë shqyrtimit të praktikës parlamentare me qëllim evidentimin e argumenteve justifikuese mbi nevojën e këtij ligji, u vlerësua se ligji nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, paraqet këto problematika:
– Duke zgjeruar përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, rrezikon qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014, për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe krijon një precedent për një efekt të mëtejshëm zinxhir në shtimin e kërkesave të paargumentuara për aplikimin e këtij rregulli përjashtues;
– Zgjerimi i rrethit të përjashtimeve të kësaj natyre ndikon potencialisht në uljen e të ardhurave tatimore nga tatimi mbi vlerën e shtuar;
– Krijon një diferencim të trajtimit të mallrave të tjera të konsideruara luksi, apo kënaqësie, që jo vetëm i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, por dhe akcizës;
– Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klientiste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi;
– Është një veprim, i cili zvogëlon më tej bazën tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar;
– Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë.
Në përfundimet e misionit të FMN-së në nëntor të vitit 2019, tërhiqet vëmendja se: “Qeveria duhet të përmirësojë sistemin tatimor të fragmentuar, kompleks, me përjashtime dhe me trajtime preferenciale, të mbaje norma tatimore të moderuara, të sigurojë rimbursimin e TVSH-së, të forcojë institucionet fiskale, të përmirësojë performancën e dobët në realizimin e të ardhurave, si dhe të adresojë ngushtimin e bazës tatimore”.
Përfshirja e jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi në listën e furnizimeve të përjashtuara nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import, kërkon një analizë objektive që të justifikojë përjashtimin e tij në dy aspekte të rendësishme:
a) përfitimin social;
b) përfitimin ekonomik.
Në terma të përfitimit social, nuk arrihet të evidentohet shtresa sociale që përfiton në rastin e uljes së kostos së mallrave apo shërbimeve të gjeneruara nga përjashtimi nga detyrimi për pagimin e TVSH-së, për mallra që në rastin konkret, janë të destinuara për qëllime turistike, kënaqësie apo argëtimi. Ndryshe nga ç’mund të justifikohej një trajtim i tillë i diferencuar, për mallra apo shërbime të një natyre tjetër, siç mund të jenë, për ilustrim, barnat mjekësore.
Vetë përjashtimet që bën dispozita në fuqi e nenit 56, të ligjit nr. 92/2014, lidhen me mallra dhe shërbime të një natyre të rëndësishme për vendin dhe ekonominë, për marrëdhëniet me jashtë, apo të natyrës së sendeve vetjake, ose të natyrës humanitare. Natyra e kësaj dispozite është të përcaktojë mallra dhe shërbime specifike për përjashtim nga detyrimi për pagimin e TVSH-së sipas një liste shteruese, dhe jo të shërbejë si një dispozitë që të mund të përdoret për të krijuar lehtësira në zhvillimin e një nënsektori të caktuar, siç justifikohet nisma në relacion.
Pikërisht ky aspekt lidhet dhe me impaktin ekonomik, që duhet të evidentojë përfitimin konkret ekonomik që mund të sjellë miratimi i këtij ligji. Ndërkohë, konstatojmë se nuk ka një analizë të përfitimit ekonomik nga kjo nismë, siç është rasti i përfitimit ekonomik nga importi i makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve; të importimit të mallrave dhe të shërbimeve, që lidhen me realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për këto operacione; të importimit të kafshëve të gjalla për majmëri; apo së fundmi, përfitimi për shkak të importimit të makinave bujqësore.
Sa më sipër, por edhe për shkak të situatës ekonomike, si dhe raportimeve të cilat vijnë nga institucionet më të larta financiare ndërkombëtare, nëse do të duhet të kishte një nismë për lehtësimin e barrës fiskale siç është përjashtimi nga detyrimi për pagimin e TVSH-së, kjo nismë duhet të mbështetet në një analizë të saktë shifrash dhe për mallra dhe shërbime jetike.
Ndërsa vlerësimi i Qeverisë për përjashtimin nga detyrimi për pagimin e TVSH-së e kategorisë së mjeteve që përdoren për qëllime argëtimi dhe kënaqësienuk u përgjigjet nevojave jetike që po kalon vendi, dhe as parashikimeve të Bankës Botërore për periudhën e pas pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.
Nën argumentin se përmes këtij ndryshimi në ligj synohet ndërtimi i një flote mjetesh lundruese miqësore me mjedisin, qeveria në realitet po krijon terrenin e përshtatshëm që një numri shumë të vogël njerëzish t’u lehtësohet barra fiskale për mjetet e tyre të luksit të lundrimit në det.
Nëse qëllimi real i qeverisë do të ishte vërtet zhvillimi i flotës lundruesedetare, kjo do të kërkonte angazhim serioz të institucioneve përgjegjëse për planifikimin e masave dhe aktiviteteve konkrete që çojnë shkallë shkallë drejt këtij zhvillimi, duke filluar, por pa u kufizuar nga:
– Përmirësimi i infrastrukturës portuale apo krijimi i porteve moderne të jahteve me tarifa konkuruese portuale për të tërhequr jo vetëm individët shqiptarë, por dhe për të huajt; apo dhe
– Aplikimi i tarifave të regjistrimit të jahteve gjithashtu konkuruese me vendet e rajonit.
Ndaj në kushtet kur kjo nismë legjislative:
– Zgjeron në mënyrë të paargumentuar rastet përjashtimore nga detyrimi për pagimin e tatimit mbi vlerën e shtuar;
– Krijon në mënyrë të paargumentuar një trajtim fiskal të diferencuar në raport me mallrat e tjera të konsideruara luksi që jo vetëm i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, por dhe akcizës;
– Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klienteliste dhe preferenciale, ndërkohë që mund të ketë mallra dhe shërbime të tjera që mund të jenë më jetike për individët, apo ekonominë në tërësi dhe që kanë nevojë për mbështetje në formën e përjashtimit nga detyrimi i pagimit të TVSH-së;
– Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e institucioneve financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë;
Si President i Republikës, kam vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, i cili duhet të vlerësojë thellësisht që nisma të tilla për aplikimin e lehtësimeve fiskalejo vetëm të ndërmerren pas studimeve dhe analizave të thelluara financiare, por edhe të rriten përpjekjet për të përqendruar aplikimin e lehtësimeve në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve që kanë më shumë nevojë për politika fiskale mbështetëse.
Vetëm kështu mund të garantohet mbrojtja më e mirë e interesit publik, që siç ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese, është i lidhur drejtpërdrejt edhe me mirëfunksionimin e buxhetit të shtetit […]. Qëndrueshmëria e buxhetit të shtetit është e rëndësishme të garantohet në çdo kohë, por ajo merr një rëndësi të veçantë gjatë periudhave të vështira që diktohen nga kriza ekonomike, prej së cilës nuk mund të përjashtohet sistemi ekonomiko-financiar shqiptar , pas goditjes së pandemisë Covid-19.
Qeveria është përgjegjëse për stabilitetin ekonomiko-financiar të vendit dhe për këtë arsye ajo ka detyrimin të ndërhyjë në çdo rast kur një gjë e tillë rrezikon të përkeqësohet. Nisur nga fakti që aktualisht sistemi ynë po përballet me dy gjendje të fatkeqësisë natyrore të shkatuara e para që prej tërmetit të datës 26 nëntor 2019, ndërsa e dyta si pasojë e situatës globale për shkak të pandemisë së shkaktuar nga infeksioni Covid-19, qeveria shqiptare, ka përgjegjësinë të jetë e kujdesshme si në shpenzime, por edhe në ndërmarrjen e nismave të tilla ligjvënëse.
Është jo e drejtë dhe aspak e mirëpritur që kjo nismë ligjore miratohet ndërkohë kur shumë familje dhe biznese të prekura nga fatkeqësitë natyrore janë ende në pritje që të trajtohen me mbështetje financiare për ndërtimin e banesës së shkatërruar nga tërmeti, apo të një pakete ndihme lehtësuese për shkak të papunësisë nga këto muaj izolimi. Ndërkohë, përkundër kësaj pritshmërie legjitime, qeveria shqiptare reagon në krah komplet të kundërt duke ndërmarrë nisma ligjore për lehtësimin fiskal tëdisa personave që do të importojnë mjete lundruese luksi, siç janë jahtet.
Në këtë mënyrë, çdo masë që ka impakt ekonomiko-financiar, qoftë në formën lehtësuese për kategori të caktuara, duhet vlerësuar paraprakisht në raport me gjendjen e diktuar dhe jo vetëm nëse është në interesin e të gjithë shtetasve, por dhe të respektojë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të buxhetit publik, si dhe të përbëjë mekanizëm real të nxitjes së zhvillimit në një sektor apo nënsektor të caktuar.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, pasi ky ligj nuk i përgjigjet situatës ekonomike të vendit dhe krijon trajtim preferencial në kundërshtim me parimet e mbrojtura nga neni 18 i Kushtetutës.
Top Channel