Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në një takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Gjatë këtij takimi, Hoti tha se Qeveria e Kosovës do të punojë ngushtë BE-në për ta përshpejtuar procesin e integrimit të vendit tonë në familjen e vendeve demokratike evropiane.
Hoti foli edhe për prioritetet aktuale të Qeverisë së Kosovës, siç janë menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike e vendit.
Më këtë rast, ai tha se Qeveria e Kosovës njëkohësisht do të punojë me tërë kapacitetin e saj për forcimin e rendit dhe ligjit, për thellimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit, zbutjen e papunësisë dhe zhvillimin e tregut të lirë.
Ndërsa, ambasadorja Apostolova, sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i përkrahë institucionet e Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, si dhe do t’i sigurojë Qeverisë së Kosovës mbështetje financiare për rimëkëmbjen ekonomike.
Gjithashtu, ajo vuri theksin në funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik, si kusht i rëndësishëm në procesin e afrimit të Kosovës drejt BE-së.
Top Channel